
Nano paralajmëron më shumë gjoba për rripin e celularët nga 14 prilli
Gjatë 3 muajve të parë të vitit, policia rrugore ka vendosur 74 mijë gjoba më shumë se në të njëjtën periudhë të 2021.
Por edhe pse shifrat sipas drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, Gledis Nano, flasin për ulje të aksidenteve, nga 14 prilli nis të zbatohet një plan i ri që do të jetë më i ashpër ndaj shoferëve abuzivë.
“Do të organizohet puna, duke kombinuar me patrulla civile, me mjete të pauniformuara dhe duke përdorur të gjitha mjetet logjistike, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve të automjeteve që nuk përdorin rripin e sigurimit për vete dhe pasagjerët, të atyre drejtuesve që përdorin aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit, që kryejnë parakalime të gabuara, që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara dhe që kryejnë manovra të rrezikshme në rrugë”, tha kreu i policisë.
Ndëshkim me gjobë do të ketë edhe ndaj personave që riveshin xhamat me qese plastmasi, që përdorin targa të huaja apo që u ka mbaruar afati i përdorimit, ata drejtues motomjetesh që nuk përdorin kaskën mbrojtëse, si dhe ata drejtues mjetesh që nuk u japin përparësi këmbësorëve apo parkojnë në tortuar a vende në të cilat nuk lejohet parkimi, paralajmëroi Nano.