
Nafta kap nivelin rekord, lista me çmimet e reja nga Bordi i Transparencës
Bordi i Transparencës ka bërë ditën e sotme publike çmimet e reja të naftës dhe benzinës, të cilat kapin shifra rekord në Shqipëri.
Sipas vendimit të Bordit të Transparencës, nga sot pasdite një litër naftë do të shitet me 258 lekë, ndërsa një litër benzinë do të kushtojë 243 lekë.
Vendimi i Bordit:
Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 8 Qershor 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.
Sqarojmë se:
Çmimet e miratuara nga Bordi, të cilat reflektojnë çmimet e nënprodukteve në Bursë, detyrimet doganore/tatimore që aplikohen, si dhe marzhet bruto maksimale të tregtimit, (përfshijnë edhe TVSH-në), janë çmime tavan dhe asnjë operator ekonomik nuk mund të tregtojë këto nënprodukte tej Vendimit të Bordit.
Çdo Operator ekonomik me shumicë dhe pakicë është i lirë t’i tregtojë këto nënprodukte me çmime më të ulëta se çmimet maksimale të miratuara nga Bordi.
Nisur sa më sipër, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, Bordi vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë 258 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 246 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë 243 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 231 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 86 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 74 lekë/litër për automjetet.
(Shënim: çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 8 Qershor ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë.
*Tibo News.