AlbanianEnglish

“Mythodea”, ekspozita e pamundur e Arben Bajos

“Mythodea”, ekspozita e pamundur e skulptorit të ndjerë, Arben Bajos, është vënë në ambjentet e Galerisë FAB, ku do të presë artdashësit gjatë një muaji.

Punët e nisura që prej vitit 2018, ishin planifikuar të prezantoheshin në mars të 2020, por Covid-19 fillimisht e mundi me datën e fillimit të ekspozitës e më pas në betejën për jetën.

Mitet greke e Evropa e rrëmbyer vijnë të ripara nga një koncept bashkëkohor. Arben Bajo merrte spunto nga arti grek si një tematikë universale dhe manifestonte gjendjen e brendshme.

Vëmendjen e rrëmben që në hyrje të galerisë “Rënia e Pegasos”, të cilin Bajo e ka realizuar në një version monumental, bashkë me një simbol të fortë, ekspozuar në formën e një instalacioni.

Bajo ka arritur të luajë me imazhin e modelit duke e shformuar strukturalisht për t’u dukur edhe më shumë karakeri e ndjeshmëria e modelit, e cila percillet dukshëm.

Punimet e kësaj ekspozite kishin nisur që nga viti 2018 dhe bashkëshortja e skulptorit tregon se sa shumë e donte ai këtë ekspozitë dhe me sa emocion e punonte. Për të ishte amanet prezantimi i ekpozitës duke synuar që të ngrejnë lart emrin e tij nëpërmjet veprave që la. Zgjodhën ta sillnin me 13 tetor, datë kjo që përkonte me 55 vjetorin e lindjes së Arben Bajos.

 Bajo shpaloset në dy dimensione, instikti dhe njeriu, ku edhe nudot i ka eksperimentuar me veten, i cili  shfaqet herë si Odiseu e herë si Herkuli.

Veprat e mëdha tek ky cikël janë projektim i një konflikti tipik ekzistencial. Është një klasik mes Idit dhe Superegos, është subkoshienca që kërcen mbi arsyen dhe logjikën.

Edhe për Ermir Hoxhën, kuratorin e ekpozitës dhe njëkohësisht mik i Bajos, ishte më emocionuesja që ka kuruar.

Qëllimi i kësaj ekspozite është edhe mbajtja gjallë e memories artistike.

Projekt tjetër madhor është realizimi i një ekspozite retrospektive si dhe një album me gjithë krijmtarinë e Arben Bajos, si shenjë dominuese e skulpturës moderne në 30 vitet e fundit.

“Mythodea” ishte projekti më ambicioz e kompleks i Bajos. Aty ai do të kapte frekuencën e vet maksimale, si në përqasje estetike, ashtu dhe në thellësinë filozofike të temës.

You don't have permission to register