
“Muzika na bashkon” koncerti i dy të rinjve në Tiranë
“Muzika është e mjaftueshme për një jetë, por një jetë nuk është e mjaftueshme për muzikën.” Ishte ky lajtmotivi që bëri bashkë adhuruesit e muzikës klasike në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse.
Me recitalin “Muzika na bashkon” qytetarët e Tiranës patën mundësinë të ndiqnin artistët e rinj Arlind Kamberi në kitarë dhe Erin Xhajën në piano, të cilët gërshetuan muzikën popullore me atë klasike.
Koncerti, i mbështetur nga Bashkia Tiranë, u moderua nga aktori i njohur Vasjan Lami, të cilin kryesisht e kemi parë në teatër e filma. Ai tha për Tibo News se pikërisht artistët e rinj ishin arsyeja se përse ai mori përsipër edhe këtë rol.
“[…] është shumë e bukur një punë e bërë me pasion dhe që merr dhe ajo dritën e skenës, kështu që ishte një fat shumë i madh. Dy djem shumë të talentuar, nuk e dinte askush që kishin mbi 12 vite që punonin, njëri në kitarë dhe tjetri në piano dhe organizuan këtë koncert. I komplimentoj organizatorët dhe shpresoj që evenimente të tilla të kemi sa më shumë,” u shpreh Lami.
Miq që në fëmijëri, dy artistët Arlind Kamberi e Erin Xhaja përcollën pafund emocione për publikun të premten. Erini tregoi për Tibo News se lidhja me muzikën klasike ka nisur që në moshën 5-vjeçare.
“Pasioni për muzikën ka filluar në moshën 5-vjeçare kur filloja të dëgjoja muzikë klasike në një magnetofon ne shtëpinë e gjyshit tim, më pas më tërhoqi shumë kjo lloj muzike, fillova një kurs pianoje, sigurisht me atë sugjerimin e tij. Në moshën 6 vjeçare kam filluar kursin. Në vitin 2019 dhashë një koncert recital solo dhe ky është koncerti im i dytë, bashkë me mikun tim Arlindin, emocionet ishin të mëdha, dhamë më të mirën tonë dhe mendoj që arritëm diçka,” – tregoi Erini.
Ngjashëm edhe për Arlindin pasioni për kitarën ka nisur që në moshë të vogël. Së bashku me mikun e tij, Erinin, ai shprehet optimist se koncerti i parë do të shoqërohet me të tjerë në vazhdim.
“Mendoj që koncerti i parë me Erinin është një ogur shumë i mirë për të pasur edhe koncerte të tjera, pse jo për ta bërë edhe traditë, është një mënyrë shumë e mirë për të mbledhur njerëzit bashkë, pas një periudhe jo të shkurtër që ne kemi qenë jashtë skenës për arsye të pandemisë dhe jemi munduar të bëjmë koncerte të vogla, por me një pjesëmarrje shumë të kufizuar dhe sot jemi shumë të lumtur që e shohim sallën pothuajse plot,” – u shpreh Arlindi.
Artistët e rinj, janë ndjekur nga pedagogët Denis Bizhga dhe Mimoza Kongo, të cilët treguan për Tibo News se ndihen krenar për arritjet e tyre.
“Të mësosh talente të reja si Arlind Kamberi është gjithmonë kënaqësi sepse janë të rinj që kanë dëshirë të mësojnë dhe të ecin para dhe sigurisht duke na përfaqësuar në skena si kjo e mbrëmjes së sotme, na bën të ndihemi shumë krenarë,” – u shpreh pedagogu Bizhga.
“Që në fillim ka treguar se është djalë i zgjuar dhe që e ka shumë dëshirë muzikën, të cilën ai është duke e eksploruar nëpërmjet instrumentit të pianos. Ka qenë kënaqësi shumë e madhe që të punoj me të, sepse një djalë i zgjuar, i talentuar dhe i pasionuar për ketë instrument ta lehtëson punën shumë,” – tha pedagogia Kongo.
Pedagogët thanë se koncerti i ka kaluar pritshmëritë e nivelit artistik, por Arlindi dhe Erini duket se përpara shohin një perspektivë tjetër në jetë. Ata kanë prirje për degët ekzakte dhe dëshirojnë të studiojnë për mjekësi. Megjithatë theksojnë se pasionin për muzikën nuk do ta braktisnin.
“Pjesën e kitarës padyshim që do ta vazhdoj, me aq sa do më lërë kohë edhe universiteti sepse mjekësia ka ngarkesën e vet, e sidomos jashtë vendit, por që shpresoj ta mbaj shumë mirë dhe të kemi koncerte të tjera me Erinin dhe pse jo, të gjithë jeni të ftuar tek ato,” – shtoi Arlindi.
“Pasionin tonë nuk do ta braktisim, do të bëjmë aq sa të kemi mundësinë për ta vazhduar, për të organizuar koncerte recitale të tjera, pse jo edhe bashkëpunime,” përfundoi Erini.
Publiku i priti shumë mirë artistët në fjalë duke shkëmbyer emocione të njëpasnjëshme, duke lënë për të kuptuar se janë të hapur dhe mbështetës për evenimente të tilla nga artistë të rinj dhe jo vetëm.
*Tibo News