Muzeu francez heq statujën e Putinit nga pavijoni i liderëve botëror

Muzeu i Parisit Grévin ka hequr statujën prej dylli të presidentit rus Vladimir Putin nga pavijoni kushtuar figurave më të njohura në botë. Shkak për këtë vendim është bërë pushtimi i Ukrainës dhe heqja u konsiderua si protestë kundër këtij agresioni, plus kësaj javën e shkuar ajo u dëmtua nga vizitorë.

Statuja, e cila u krijua në vitin 2000, u zhvendos në një magazinë, kjo deri në njoftimin e mëtejshëm dhe muzeu po konsideron ta zëvendësojë atë me një statujë të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Kjo është hera e parë që një statujë hiqet në Grévin për shkak të ngjarjeve botërore.

Drejtori i muzeut, Yves Delhommeau tha për radion franceze Bleu se vendimi ishte i vështirë për t’u ndërmarrë duke pasur parasysh faktin se bëhet fjalë për një aspekt që nuk ka lidhje me muzeologjinë.

Por ndikim për vendimin dha fakti se së fundmi statuja kishte rënë pre e sulmeve vandale nga vizitorët.

Drejtori tha se së fundmi vizitorët i drejtoheshin statujës me ofendime, gjeste nga më të ndryshmet dhe ndërkohë që edhe stafi refuzonte të kalonte në atë pjesë të pavijonit për ta pastruar.

Muzeu i Grévin nuk ka shfaqur kurrë liderë të akuzuar për krime lufte. Vite më parë u refuzua të shfaqej një statujë për Hitlerin duke e kthyer këtë në një politikë konkrete.