
Musk përjashton konspiracionistët nga Twitter
Teoricieni i konspiracioneve Alex Jones nuk do të ketë mundësi të ketë një llogari në Twitter.
Në fundjavë shumë personalitete si ish-Presidenti amerikan Donald Trump, muzikanti Kanye West, apo influencuesi Andrew Tate, panë profilet e tyre të riaktivizoheshin pas një periudhe të gjatë bllokimi.
Por në rastin e Jones, kjo nuk do të ndodhë. Musk u shpreh në mënyrë kategorike se askush që përdor vdekjet e fëmijëve për vëmendje publike nuk do të ketë hapësirë në Twitter.
Për këtë rast Musk kujtoi humbjen e vajzës së tij, Nevada, gjatë vitit 2022, dhe u shpreh se e kuptonte dhimbjen e çdo familjari që mund të jetë trazuar nga teoritë e Alex Jones.
Gjykata e Lartë amerikane e ka dënuar Jones-in të paguajë 1.4 miliardë dollarë dëmshpërblim ndaj familjeve që humbën fëmijët e tyre pas një sulmi me armë në shkollën Sandy Hook.
Jones pretendoi disa herë se ngjarja ishte e rremë dhe një mashtrim publik për të ndryshuar politikën e armëve.
Në gusht 2018 ai u ndalua nga Facebook, Spotify, Apple dhe YouTube.
Ata që kërkuan kthimin e tij përfshinin manjatin e diskutueshëm të internetit Kim Dotcom.
Gjithësesi në një video të postuar në platformën Rumble, Jones tha se nuk i interesonte të ishte në Twitter.
Trump ende nuk ka postuar në Twitter, pavarësisht se llogaria e tij e riaktivizuar tani ka më shumë se 90 milionë ndjekës.
Ai ka thënë se synon të qëndrojë në platformën e tij, Truth Social, edhe pse kjo ka një pjesë të audiencës së Twitter.
Trump ishte një nga profilet më të ndjekura në Twitter derisa u ndalua për nxitje të dhunës gjatë trazirave të Capitol Hill në janar 2021.
Ndërsa Kanye West u ndalua për një post antisemitik.
Andrew Tate u ndalua nga disa platforma për ndarjen e përmbajtjes mizogjene, të tilla si sugjerimi që gratë duhet të mbajnë përgjegjësi për sulmet seksuale.
Si Kanye edhe Tate tani po postojnë rregullisht në Twitter.
Musk kishte thënë më parë se nuk do të merrej asnjë vendim për llogaritë e ndaluara derisa të emërohej një bord ndërmjetësimi.
Por gjërat kanë ndryshuar, teksa Twitter ka pushuar rreth 7,500 punonjës dhe qindra të tjerë besohet se janë larguar pas një emaili që thoshte se do të kërkoheshin orë më të gjata pune.
Musk pretendon se Twitter po përdoret më shumë se kurrë më parë, por për këtë nuk ka asnjë statistikë zyrtare.