“Muji dhe Halili” në dimensionin modern

“Muji dhe Halili”, versioni alternativ mbi Eposin e Kreshnikëve, vjen i përshtatur në ditët e sotme në Teatrin Eksperimental me regji të Ina Morinajt. Tragjikomedia dinamike trajton problematikat e ditëve të sotme duke marrë shkas nga ato në eposin e kreshnikëve, me element të përbashkët, një hero të të dyja kohëve.

“Muji dhe Halili është i frymëzuar nga Eposi i Kreshnikëve, ku kemi zgjedhur pesë nga këngët e eposit me tematikat e tyre pastaj jemi munduar që t’i kthejmë në kohët e sotme. Nuk është ai Muji dhe Halili që mund të presin njerëzit. Është një Muj dhe Halil me celular, me playstation, është një Muj dhe Halil i kohëve të sotme dhe elementi i përbashkët është heroi që qëndron te Eposi i Kreshnikëve, por s’jemi shumë të sigurt sa qëndron në ditët e sotme,”- tregoi regjisorja për Tibo News.

Historia në këtë shfaqje nis me këngën epike “Fuqia e Mujit” e cila na njeh me veprën dhe personazhet”, pas saj vjen “Gjogu i Mujit”, pjesë ku personazhet përfshihen në temat problematike. Shfaqja vazhdon me “Martesën e Halilit”, ku trajtohet marrëdhënia në çift në ditët e sotme virtuale. Historia do të pasohet me këngën “Muji dhe Halili mas deket”, ku do të bëjë me jetën dhe vdekjen dhe përfundon me “Orët e Mujit” ku personazhet rikthehen tek ëndrrat e tyre.

Historia e heronjve të folklorit shqiptar “Muji dhe Halili”, është sjellë në një formë moderne në teatër duke vendosur fokusin në problematikat e sotme sociale.

“E kam quajtur tragjikomedi sepse ka momente që të qeshet fort, por ka edhe momente ku trajtohen problematika që prekin secilin nga në ditët e sotme dhe sidomos në Shqipëri, siç është e ikura nga Shqipëria, siç është problematika e shëndetit mendor, humbja e kontaktit njerëzor apo edhe varësia nga teknologjia,”- shtoi Ina Morinaj.

Në role do jenë tre aktorë të talentuar, Ilia Kaci, Artemisa Kusi dhe Matia Llupa. Shfaqja është pjesë e “Fondit të Teatrit për të Rinjtë ” mundësuar nga Ministria e Kulturës dhe me mbështetjen e Teatrit Kombëtar Eksperimental.

“Unë i ftoj të gjithë në datat 4, 5,6,10 dhe 11 nëntor që të shihni “Muji dhe Halili,”- përmbylli regjisorja e shfaqjes.

*Tibo News