
Monitorimi i çmimeve të shportës, nga 2 deri në 10 mln lekë gjobë kush abuzon
Çmimet e produkteve të shportës do të monitorohen çdo javë nga bordi i transparencës që përcakton marzhin e fitimeve të bizneseve. Subjektet e shumicës që nuk respektojnë vendimet e bordit do të penalizohen me gjoba deri 10 mln lekë, ndërsa për tregtarët e vegjël masa administrative do të jetë 2 mln lekë. Përsëritja e shkeljeve do të dënohet me mbyllje të aktivitetit deri në sekuestrimin e mallit.
Në Fletoren Zyrtare është botuar akti normativ “Për transparencën dhe monitorimin e çmimeve për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg” në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës i miratuar nga qeveria. Bordi është i detyrueshëm të zbatohet nga të gjitha subjektet dhe zbatimi i tyre monitorohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet verifikimit të faturave të lëshuara nga subjektet gjatë periudhës së situatës së veçantë të krijuar në treg.
Akti Normativ përcakton ndër të tjera se të gjitha subjektet janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave deri në 3 muaj ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit, me qëllim garantimin e popullatës me furnizime.