
Modeli i fundit Boeing 747 dorëzohet me fluturim ceremonial
Boeing 747, modeli i avionit amerikan që revolucionarizoi udhëtimet ajrore, ka mbyllur përfundimisht linjën e prodhimit me një fluturim ceremonial në qiellin e Uashingtonit.
Atlas Air, një linjë ajrore amerikane mallrash, mori dorëzimin e fundit të modelit 747 këtë javë.
Ekuipazhi fluturoi në një rrugë të veçantë fluturimi, duke formuar një kurorë të madhe në qiell me numrat shtatë, katër dhe shtatë.
Fluturimi ceremonial vjen disa ditë pasi punëtorët i thanë lamtumirën e fundit avionit ikonik, të quajtur “Mbreti i Qiejve”.
747 është një nga aeroplanët më të njohur në botë, i cili ka qenë në prodhim për më shumë se 50 vjet dhe vlerësohet si fillimi i epokës së jumbo-jet, duke qenë avioni i parë që fitoi këtë pseudonim.
Të martën, mijëra punonjës nga Boeing u mblodhën në fabrikën e kompanisë në Everett, Uashington – shtëpia e 747 që nga viti 1967 – për të thënë lamtumirën.
Mes të pranishmëve ishte aktori John Travolta, një entuziast i aviacionit dhe pilot privat.
Si ambasador i linjave ajrore Qantas, ai kujtoi se si mësoi të fluturonte me atë që ishte programi më i vështirë për kohën.
Modeli 747 i fundit doli nga linja e prodhimit më 7 dhjetor 2022, duke përfunduar inspektimet, testet e fluturimit dhe duke u lyer me bojë përpara se t’i dorëzohej në fund kompanisë Atlas, e cila operon avionin si transportues mallrash.
I projektuar në vetëm 28 muaj, 747 ishte avioni i parë “jet” me dy rreshta dhe u prezantua për herë të parë nga linja ajrore – tashmë e falimentuar – Pan Am në vitin 1970.
Tradicionalisht një nga produktet më të shitura të Boeing, 747 ka pësuar rënie të kërkesës në vitet e fundit, pasi si kompania ashtu edhe rivali i saj evropian “Airbus” zhvilluan avionë më efikasë dhe fitimprurës.
Në vitin 2020, Boeing njoftoi se do të përfundonte prodhimin.
Modeli i ri i avioniëve Boeing, 777X, ka vonuar të nxirret në qarkullim dhe nuk pritet të dalë në treg deri në vitin 2025.
*Tibo News.