“Fëmijët të korrin patate dhe mollë” thotë presidenti bjellorus

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka bërë thirrje që nxënësit të mobilizohen për të korrur mollë dhe patate.

Lukashenko tha se “ishte i tmerrshëm” fakti që fëmijët të mos ndihmojnë për bujqesinë e vendit.

“Çfarë shembulli do të japim për nxënësit tanë të shkollës, fëmijët tanë?” tha ai në një mbledhje të qeverisë, duke shtuar: “Thonë se është shfrytëzim, por çfarë shfrytëzimi është nëse një person shkon në punë për pesë apo gjashtë orë”?

“Do të jetë lumturi për prindërit dhe stërvitje e mirë fizike për fëmijët”.

Nxënësit e shkollave dhe studentët janë mobilizuar më parë për të ndihmuar fermerët për korrjen e të mbiellave. Kjo ndodhte në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik dhe mobilizimi ishte i detyrueshëm.

Presidenti bjellorus, një ish-drejtues i fermave kooperativiste sovjetike, është i njohur për deklaratat e tij radikale.

Në vitin 2020, teksa bota po përballej me pandeminë e COVID-19, ai rekomandoi bjellorusët që të pinin rregullisht vodka pasi “kjo ju ndihmon ta mbani larg virusin”.

Bjellorusia fqinje me Ukrainën, lejoi trupat ruse të përdornin kufijtë e saj për të mësyrë ushtarakisht Kievin. Por Lukashenko ka thënë se nuk ka planifikuar ndonjëherë të mbolizojë ushtrinë bjelloruse për të mbështetur aksionin.

Presidenti 68-vjeçar drejton Bjellorusinë prej vitit 1994. Në zgjedhjet e vitit 2020 opozita e akuzoi për vjedhje të votave dhe shumica e drejtuesve të saj u dënuan për “protesta të paligjshme”.

*Tibo News