Mjekët të shqetësuar nga pilulat pa kriter: Gra dhe vajza rrezikojnë shtatzëninë dhe jetën

Është rritur numri i grave dhe vajzave që përdorin kontraceptivët dhe pilulën e emergjencës për të parandaluar shtatzënitë e padëshiruara. Dhe këto gjenden lehtësisht nëpër farmaci. Sipas mjekëve gjinekologë kërkesat janë shtuar teksa thonë se ka mjaft raste që vajzat dhe gratë përdorin në mënyrë të gabuar dhe pa kriter këto pilula.

“Është një trend në rritje i kontraceptivëve. Marrja e gabuar e kontraceptivëve ka efekte anësore. Kontraceptivët në përgjithësi i përdor mosha 20-35-40 vjeç, ata të emergjencave përdoren zakonisht nga vajzat e reja. Ka shumë gra dhe vajza të reja që përdorin kontraceptivët në mënyrë të gabuar dhe janë paraqitur pranë nesh”.

Mjekët thonë se përdorimi i gabuar i tyre sjell deri në mosarritjen e një shtatzënie më vonë në të ardhmen.

Sipas gjinekologëve përdorimi i gabuar dhe marrja në farmaci pa rekomandimin e mjekëve është shqetësuese për shëndetin riprodhues pasi këto gra rrezikojnë të bëjnë shtatzëni ektobike, e quajtur ndryshe shtatzëni jashtë mitre, e cila vë në rrezik deri në jetë.