“Mjaftojnë 5 maskarenj si merimangat e Onkologjikut që mjekët të shihen me dyshim”

Kreu i qeverisë dhe ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu patën një takim me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’.  Rama u ndal tek skandali tek Onkologjiku ku tha se mjaftojnë 5 maskarenj si ato të “Onkologjikut” që të shihet me hije dyshime puna e të gjithë mjekëve dhe të shpërthejë dallga e revoltës së popullit, që sipas kryeministrit është tërësisht legjitime. Rama u shpreh më tej se kur pacientët mbërrijnë në spitalet shtetërore, ata janë familjarët e të gjithë personelit shëndetësor dhe këta të fundit duhet tu shërbejnë.

-Pjesë nga fjala e mbajtur nga kryeministri Rama:

‘E gjithë puna kolosale e kësaj dekade falë investimit të taksave të shqiptarëve, kërkon nga ju përmes kësaj qendre një shërbim të denjë në çdo komponent. Janë investuar vetëm këtu në total 100 milionë Euro në këto vite dhe sot pagat tuaja janë shumë të larta, ndërsa kushtet e punës tuaj janë më të mira. Ata që vijnë këtu për t’u shtruar, e kanë bërë tyren për ju. Pa ata do të ishit tek ai pazari që ju përmenda më lart që pjesa më e madhe këtu e keni jetuar me vite të tëra të poshtëruar në çdolloj merite dhe e keni mbajtur këtë qendër me atë frymën e trashëguar nga Besim Elezi dhe nga profesorët tuaj.

Sot është ndryshe. Pacientët bashkë me shqiptarët që paguajnë taksa kanë bërë që pagat tuaja të jenë shumë më mirë se dje dhe nesër të jenë më mirë se sot. Kush e harron këtë, hyn në gjynah të madh dhe kur nuk ka durimin të sillet si shërbëtor i atyre që zënë krevatin nga halli. Në momentin që hyjnë këtu, ata janë familjarët tuaj dhe ju jeni shërbëtorët tuaj dhe pastaj kush shfaqet si ata torturuesit e pashpirt të Onkologjikut nuk meriton vetëm ndëshkimin pa tolerancë të drejtësisë, por meriton dhe ndëshkimin pa mëshirë të Zotit lart në qiell.

Në sistemin e urgjencës kardiake nuk mungon praktikisht asgjë. 5 mijë jetë janë shpëtuar në atë spital nga mjekët e atij spitali. Por ama, mjaftojnë 5 maskarenj të fshehur në radhët tuaj, si merimangat e Onkologjikut që gjithçka të mbulohet nga hija e dyshimit dhe që profesionalizmi i trupës tuaj të goditet nga një dallgë revolte që është legjitime e një populli të tërë. Prandaj unë uroj, shpresoj që asnjë të mos e harrojë përjetimin e tmerrshëm të këtyre ditëve krejtësisht të pamerituara dhe cënimin e dinjitetit të secilit dhe të bluzës së bardhë’.