Miratohet Komisioni i Posaçëm për Dezinformimin

Opozita kërkoi më tepër kohë, por në fund ngritja e komisionit të Posaçëm për Dezinformimin u miratua vetëm me votat e mazhorancës

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi, mbajti fjalën e tij në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar me fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS iu përgjigj edhe shqetësimeve të disa prej deputetëve të opozitës, ku ai tha:

“Duke iu referuar marrëveshjes me SHBA, të cilës iu referuar zonja Tabaku, ne nuk kemi detyrime, por marrim iniciativa dhe e sjellim në Parlament që të bëhet gjithëpërfshirëse. Fakti që jemi vonë nuk duhet të na bëjë të vonojmë më tepër. Objekti i këtij Komisioni të Posaçëm do të hyjë të paktën në termat e 4 komisioneve të tjera parlamentare( Komisioni i Jashtëm, Ligjet, Siguria Kombëtare dhe Edukimit) Me afat 1-vjeçar sepse fusha e veprimit të këtij komisioni është shumë e gjerë. Ekzaktësisht ky komision do të marrë në shqyrtim edhe zbatimin e ligjit të AMA që përmendi zonja Açka. Komisioni i Posaçëm i PE ka zgjatur më shumë se dy vjet dhe është marrë me të gjitha ndërhyrjet në shtetet e BE”.