Miratohet buxheti 2024 për Bashkinë e Tiranës

Në mbledhjen e fundit për këtë vit, Këshilli Bashkiak ka miratuar buxhetin e vitit të ardhshëm për Tiranën.

Kryetari Erion Veliaj përmes një videomesazhi tha se ky buxhet është 10 herë më i madh se ai që u gjet nga administrata e kaluar.

“Sepse edhe Tirana ka 10 herë më shumë nevoja, por është edhe 10 herë më e pastër, ka 10 herë më shumë shkolla, ka 10 herë më shumë aktivitete dhe jemi 10 herë më shumë krenarë për gjithë punët që duam të bëjmë në Tiranë. Në këtë buxhet ne duam që të kalojmë përfundimisht investimet në shkollat e “Astirit”, shkollat e Liqenit të Thatë edhe të Saukut, që kanë qenë dilema dhe gjyqe të prapambetura, që tashmë i kemi fituar dhe kemi të gjithë përgatitjen për të filluar punën.”

Veliaj thote se investimet do të vijojnë edhe për shtimin e më shumë çerdheve dhe kopshteve.

“Në finale duam të shtojmë çerdhet, kopshtet dhe duam që këtë mandat të kapim dhe 1 milionë pemë të tjera duke filluar me mbjelljet që këtë vi.”

Gjatë 2024-ën bashkia do të marrë edhe një grant nga Bashkimi Europian me vlerën e 31 milionë Eurove.

“Për herë të parë ne marrim grantin më të madh në historinë e Bashkisë së Tiranës, bashkë me kredinë e KFË-së, do të transformojë transportin publik në Tiranë dhe do modernizojë të gjithë linjat e autobusëve duke filluar nga 3 të parët: Linja e Unazës, Linja Kombinat – Kinostudio dhe Linja e Tiranës së Re”

Vitin tjetër, Tirana do të marrë Presidencën e Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit, e njohur ndryshe si B40.