
Ministria e Arsimit njoftim për nxënësit e klasave të para dhe të dhjeta
Ministrja e Arsimit Evis Kush ka publikuar një njoftim lidhur me regjistrimin e nxënësve të klasave të para dhe të dhjeta. Ajo ka publikuar afatet e regjistrimit, përkatësisht për klasat e para 4-17 korrik dhe të dhjeta 12-24 korrik si dhe metodën që duhet ndjekur përmes sistemit online.
Njoftimi i plotë:
Të dashur prindër dhe mësues,
Nisur nga përvoja e vitit të kaluar për pilotimin e regjistrimit elektronik të nxënësve në shkollat e qyteteve qendër qarku, si dhe duke reflektuar të gjitha sugjerimet e ardhura nga ju për përmirësimin e procesit, këtë vit ia dolëm që në të gjitha shkollat e vendit regjistrimi në klasën e parë dhe të dhjetë të bëhet nëpërmjet sistemit e-Albania.
Prindërit do të mund ta regjistrojnë fëmijën në vetëm një minutë, pa pasur nevojë të dorëzojnë dokumente shtesë, të presin në radhë apo të harxhojnë kohë dhe energji.
Afatet e regjistrimit do të jenë si më poshtë:
Për klasat e para 4 – 17 korrik.
Për klasat e dhjeta 12 – 24 korrik.
Ne jemi të angazhuar maksimalisht që të gjitha shkollat tona të ofrojnë arsim cilësor, gjithëpërfshirës dhe të barabartë për nxënësit, si në qendër ashtu edhe në periferi të çdo bashkie. Prandaj e vlerësojmë shumë mirëkuptimin tuaj për të regjistruar fëmijët në bazë të vendbanimit.
Faleminderit të gjithëve për bashkëpunimin!
*Tibo News