Ministri Hasani takohet me Papa Françeskun në Vatikan

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, u takua në Vatikan, në Selinë e Shenjtë në një audiencë private nga Papa Françesku.

Ministri Igli Hasani vlerësoi përpjekjet e Atit të Shenjtë dhe të Kishës Katolike në emër të qeverisë dhe shtetit shqiptar, për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe harmoninë mes komuniteteve fetare dhe popujve në botë.

Ai tha:

“Vlerësimi i thellë i Shenjtërisë së Tij për shembullin që Shqipëria i jep botës për solidaritetin njerëzor dhe vëllazërinë fetare, vazhdon të jetë një frymëzim dhe dritë udhërrëfyese për përpjekjen e vazhdueshme të vendit tonë për të qenë në anën e duhur të të historisë”.

Në takimin me Papa Françesku u vlerësua harmonia fetare në Shqipëri i konsideruar një model shumë i mirë për gjithë rajonin.

Këtë vit mbushen 10 vjet nga vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, ku nderoi martirët e persekutimit të regjimit komunist.