Ministri Gonxhja: Arsimi profesional, për herë të parë janë regjistruar 4709 nxënës

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka deklaruar se aktualisht, arsimi dhe formimi profesional po ofrohet nga 29 shkolla profesionale dhe 10 qendra të formimit profesional në të gjithë vendin.

Gjatë fjalës së tij në Konferencën Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional, ministri Blendi Gonxhja tha se këtë vit, janë regjistruar më shumë nxënës sesa një vit më parë.

Ai e vuri theksin tek fakti se megjithëse ka pasur progres, ekzistojnë ende sfida të cilat kërkojnë zgjidhje konkrete.

Pjesë nga fjala e ministrit Gonxhe në Konferencën Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional:

“Arsimi dhe formimi profesional ofrohet nga 29 shkolla profesionale dhe 10 qendra të formimit profesional në të gjithë vendin. 14,700 nxënës ndjekin arsimin e mesëm profesional publik për vitin shkollor 2023-2024. Janë regjistruar për herë të parë, 4709 nxënës, 11% më shumë se një vit më parë.

Programet më të kërkuara për vitin 2024, janë hoteleri turizim, teknologji informacioni. 8 ofrues ofrojnë edhe kualifikime profesionale. 60% e nxënësve që janë diplomuar, janë punësuar. Nga qendrat e formimit profesional, janë ofruar 71 kurse të formimit profesional, janë regjistruar 15 mijë kursantë. Gjatë vitit 2023, është zbatuar programi i kodimit. Prioritet ka mbetur ofrimi i kushteve të IT. Në zbatim të planit kombëtar, garancia rinore është lançuar në tetor të vitit të kaluar. Ka nisur zbatimi i të nxënit në vendin e punës. Kemi pasur mbështetjen e partnerëve tanë. BE vijon mbështetjen, përmes IPA 2 dhe IPA 3. Pavarësisht progresit, mendoj se të gjithë bashkë kemi sfida që kërkojnë zgjidhje konkrete”.