Ministri Balla: Asnjë anije e vogël me emigrantë shqiptarë drejt Anglisë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla pati një takim me gjeneralin Stuart Skeates, Koordinator Special i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për Emigracionin e Paligjshëm. Bashkëpunimi vjen për luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe fenomeneve të tjera kriminale. Ministri i Brendshëm Balla tha se nuk ka pasur asnjë anije të vogël të nisur me emigrantë shqiptarë drejt Britanisë për Janarin 2024.

Në takimin me gjeneralin Stuart Skeates Balla i tregoi rezultatet e Task Forcës së Përbashkët, të cilat sipas tij janë domethënëse.

Ky takim mbahet vetëm pak kohë pas vizitës zyrtare të ministrit Balla në Britani ku theksoi se strukturat shqiptare kanë nevojë për mbështetje logjistike dhe pajisje nga pala britanike pasi nga përvoja rezulton se një mbështetje e tillë sjell rezultate maksimale.

Ministri Balla nënvizoi gjithashtu nevojën për të pasur vendimet e gjykatave britanike për shtetasit shqiptarë të dënuar atje dhe të kthyer në Shqipëri.