
Miliarderët, pro dhe kundër udhëtimit në Mars
Miliarderi Bill Gates ka thënë se më mirë të paguajë për vaksina e për njerëz në nevojë, sesa të udhëtojë në Mars, madje duke shtuar se kjo e fundit nuk është një mënyrë e mirë për të përdorur paratë.
Në një intervistë ai ka thënë:
“Në fakt është shumë shtrenjtë të shkosh në Mars. Mund të blesh vaksina kundër fruthit dhe të shpëtosh jetë. Kjo besoj më shtyn mua të mendoj… si të mos shkoj në Mars”.
Por tjetër mendim ka Elon Musk. Ai ka thënë se dëshiron që të kolonizojë Marsin.
Duket se edhe Jeff Bezos i është bashkuar listës së të pasurve për garën në hapësirë.
SpaceX, kompania e raketave e bashkëthemeluar nga Musk në vitin 2002, e ka shprehur hapur qëllimin për të dërguar fluturime me ekuipazh në Mars dhe për të kolonizuar Planetin e Kuq.
Themeluesi i Amazon, Bezos, kryeson kompaninë e hapësirës ajrore Blue Origin dhe bëri një udhëtim të shkurtër në hapësirë në vitin 2021, ndërsa manjati britanik Sir Richard Branson ka arritur gjithashtu skajin e hapësirës me mjetin e tij raketor Virgin Galactic.
Gates, bashkëthemeluesi i Microsoft, beson gjithashtu se inteligjenca artificiale do ta transformojë njerëzimin “mjaft dramatikisht”.
*Tibo News