Mike e madhe e shqiptarëve, ndërron jetë Madeleine Albright

Ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare, Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së dhe mike e madhe e shqiptarëve, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë.

Vdekja e saj u konfirmua  nga familja e saj, e cila tha  në një njoftim se Madeleine Albright, vdiq nga pasojat e kancerit.

“Ajo ishte e rrethuar nga familjarët dhe miqtë”, thuhet në deklaratën e shpërndarë në rrjetet sociale.

Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton, së pari shërbeu si ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomatja më i lartë i vendit në mandatin e saj të dytë. Ajo mbrojti zgjerimin e NATO-s, nxiti që aleanca të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, u përpoq të reduktonte përhapjen e armëve bërthamore dhe mbrojti të drejtat e njeriut dhe demokracinë në të gjithë globin.

Muajin e kaluar pak para pushtimit rus të Ukrainës, Albright kishte thënë se udhëheqësi rus Vladimir Putin do të bënte “një gabim historik” nëse do të niste pushtimin e Ukrainës dhe paralajmëroi për kosto shkatërruese për vendin e tij.

“Në vend që t’i hapte rrugën Rusisë drejt madhështisë, pushtimi i Ukrainës do të siguronte turpin e zotit Putin duke e lënë vendin e tij të izoluar diplomatikisht, ekonomikisht të gjymtuar dhe strategjikisht të cenueshëm përballë një aleance perëndimore më të fortë dhe më të bashkuar,” shkroi Albright.