Migrimi dhe rënia e shkallës së lindshmërisë tkurrin popullsinë në Kosovë

Migrimi dhe rënia e shkallës së lindshmërisë në Kosovë vlerësohen nga ekspertët ndër faktorët kryesor që kanë ndikuar në tkurrjen e popullsisë në vend.

Te dhënat përfundimtare të regjistrimit të popullsisë pritet të publikohen në muajin korrik, por sipas të dhënave paraprake të publikuara muajin e kaluar nga Agjencia e Statistikave, numri i popullsisë në Kosovë ka rënë rreth tetë për qind.

“Në radhë të parë është migrimi i jashtëm i popullsisë, pastaj kemi shkallën e lindshmërisë që ka filluar të bie në Kosovë sikur në gjithë vendet në rajon por edhe më gjerë. Pastaj kemi plakjen e popullsisë domethënë rritjen e jetëgjatësisë që ndikon në plakjen e popullsisë dhe kemi faktorët tjerë që janë ekonomikë e të cilët rezultojnë me ndryshime demografike”, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës, Visare Mujko Nimani nga zyra e UNFPA-së në Kosovë.

Një anketë e zhvilluar nga instituti për studime të avancuara GAP në fund të vitit të kaluar nxori në pah se 27 për qind e qytetarëve në Kosovë kanë plane për emigrim.

Blend Hyseni nga ky institut i tha Zërit të Amerikës se këto shifra janë shqetësuese meqë ikja e qytetarëve e ndikon drejtpërdrejt në tregun e punës në Kosovë.

“Në periudhën 2012 – 2022 rreth 340 mijë qytetarë kanë emigruar nga Kosova, këto janë shifra zyrtare. Vetëm në dy vitet e fundit për të cilat kemi shifra zyrtare, janë diku 41 mijë qytetarë që kanë emigruar nga Kosova drejt vendeve të tjera të Bashkimit Evropian, kryesisht Gjermani ose Zvicër”, tha ai.

Zoti Hyseni thotë se sektorët me prirje më të lartë për migrim janë prodhimi dhe ndërtimtaria të cilët janë shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit.

“Nga ajo që ne kemi identifikuar ende mbizotërojnë kushtet apo aspektet ekonomike përse qytetarët po vendosin të ikin nga Kosova. Pra pagat jo të mira, kushtet jo të mira janë arsyet kryesore që ende prijnë. Këto janë mirë të argumentuara sepse ne e kemi parë që tregu i punës në Kosovë veçmas ai privat ka qenë shumë rigjid në aspekt të përshtatjes së pagave me kushtet e jetesës. Pra në një kohë kur inflacioni kumulativ ka vazhduar të ngritet nga 20 për qind, 30 për qind dhe pagat kanë qëndruar në nivelin 300 ose 400 euro, kjo në vazhdimësi e ka rritur paknaqësinë te qytetarët”, thotë ai.

Eksperti i fushës së Ekonomisë, Lekë Musa, thotë se migrimi i pjesës më produktive të popullsisë ka efekte të shumëfishta në ekonominë e Kosovës.

“Do të ketë ndikim direkt tek cilido biznesmen që mendon të fillojë një proces ose të prodhimit ose të shërbimit, sepse do të jetë shumë e vështirë të gjinden punëtorë të kualifikuar. Në vendet e rajonit kemi një emigracion të klasës punëtore prej vendeve aziatike për të zëvendësuar disa vende të punës mirëpo ajo nuk është zgjidhje sepse në njëfarë forme vendi investon për të ngritur dhe krijuar kapitalin njerëzor dhe ky kapital njerëzor i krijuar në vend tërhiqet falas le të themi nga vendet tjera të Bashkimit Evropian”. , thotë ai.

Parandalimi i migrimit, thotë zoti Musa, paraqet urgjencën kryesore të Kosovës në aspektin ekonomik.

“Prandaj duhet ndërmarrë gjithçka që vendi të kthehet në një vend atraktiv për investitorë, duhet zgjedhur problemet politike mu për shkak të kësaj urgjence, për shkak të zbrazjes së vendit. Kjo sepse nëse vazhdon ky trend i zbrazjes dhe ikjes së potencialit, atëherë do të jetë shumë e vështirë që të kemi një bazë të mirë për zhvillim ekonomik”, thotë ai.

Ndryshimet e politikave në funksion të parandalimit të migrimit duhet të fillojnë që tani, thotë Visare Mujko Nimani nga zyra e UNFPA-së në Kosovë.

“Në radhë të parë të shohim se si mund ta menaxhojmë migrimin dhe atë për shembull me stimulime të ndryshme të politikave të cilat do të ndikonin në kthimin e diasporës tonë apo të popullatës që ka emigruar që të kthehen në Kosovë dhe të veprojnë këtu apo të krijojnë biznese të cilat do të rrisin punësimin e të rinjve”, thotë ajo.

Zonja Mujko Nimani e vlerëson thelbësore edhe zbatimin e atyre që i quan ‘politika miqësore për familjet e reja’.

“Të cilat mund të stimulohen për shembull me lirim prej taksave, qoftë me stimulim të sigurimit të banimit, kujdesit për fëmijë dhe orareve fleksibile, pushimeve prindërore, pushimet e atësisë, pushimet e familjarit të cilat do të mundësonin fleksibilitetin e anëtarëve të familjes në baraspeshën ndërmjet punës dhe familjes”, thotë ajo.

Zoti Hyseni rekomandon rritjen e pagave në sektorin privat, ku janë të punësuar tre e katërta e të gjithë të punësuarve në Kosovë.

“Nëse kjo do të përshtatej edhe me një angazhim të qeverisë që të përmirësojë edhe kushtet tek inspektorati i punës, që të përmirësojë sektorin e shëndetësisë dhe të arsimit, mendoj që mund të jetë koha e fundit që të reagojmë e mbase të ua ndryshojmë mendjen qytetarëve që të mos ikin nga Kosova”, thotë ai.

Sipas të dhënave paraprake nga Agjencia e Statistikave rreth një milionë e 600 mijë banorë kanë marrë pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë. Në procesin e fundit të regjistrimit që është zhvilluar para 13 vjetësh, kishin marrë pjesë një milionë e 740 mijë banorë./VOA