Meta vendos për zgjedhje te parakohshme vendore

Presidenti Ilir Meta kërkon zgjedhje të parakohshme vendore. Ai ka kërkuar informacion nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve lidhur me bashkitë pa kryetarë, në mënyrë që të bëhet plotësimi i tyre.

Teksa cilësoi si të patolerueshme situatën në disa bashki pa kryetarë formalë, dhe faktin që palët që duhet të zgjidhnin këtë situatë nuk bëjnë asnjë lëvizje, kreu i shtetit tha se ka nisur procedurat për ti dhënë zgjidhje kësaj situate.

“Kam kërkuar cilat janë bashkitë që gjatë kësaj periudhe kryetarëve u ka përfunduar mandati në mënyrë të parakohshme për plotësimin e të cilave është i nevojshëm organizimi i zgjedhjeve”, tha kreu i shtetit në deklaratë për mediat.

Presidenti Meta u shpreh se disa  nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë kryer shkelje profesionale dhe etike të rënda, gjatë shqyrtimit të kërkesës së shoqatës së bashkive për zgjedhjet vendore të  vitit 2019.

Në arsyetimin e Metës, Gjykata Kushtetuese nuk e pati vullnetin që ta zgjidhte këtë çështje përmes juridiksionit kushtetues, por ja la atë juridiksionit politik.

“Kam konstatuar se disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese kanë kryer shkelje të rënda profesionale dhe etike dhe në kundërshtim me ligjin, që legjitimon nisjen e procedimit disiplinor ndaj tyre”, tha ai.