
Meta shton kontrollin ndaj fëmijëve në Instagram
Kompania Meta po përditëson mjete të reja për të shtuar kontrollin prindëror ndaj adoleshentëve në qasjen e tyre në përdorimin e medias sociale si Instagram.
Prindërit do të jenë në gjendje të shikojnë sasinë e kohës që fëmijët kalojnë në Instagram dhe të vendosin kufij kohorë.
Ata gjithashtu do të përditësohen për llogaritë që ndjekin adoleshentët.
Instagram do të ketë një qendër familjare, ku prindërit mund të kuptojnë më mirë mjetet e reja dhe të shikojnë video ose artikuj se si të flasin me fëmijët për përdorimin e tyre të mediave sociale.
Mjetet e reja do të përdoren fillimisht në SHBA, pa përjashtuar mundësinë e hapjes globale.
Kontrolli më i shumtë prindëror që po lejon Meta është përpjekje ndaj shuarjes së kritikave se nuk po bën aq sa duhet në mbrojtjen e sigurisë së të rinjve.
Sipas një hulumtimi të paraqitur në vitin 2019 Instagrami përkeqësonte problemet e imazhit të trupit për një në tre vajza adoleshente.
Asokohe, Meta kundërshtoi përfundimet e kërkimit, duke theksuar se Instagrami lidh edhe adoleshentët me familjen dhe miqtë.
Ka një sërë çështjesh për të cilat prindërit shqetësohen në mediat sociale. Ato fillojnë nga përfshirja e përmbajtjes në lidhje me vetëvrasjen dhe çrregullimet e të ngrënit.