Meta anulon projektin madhor në Holandë

Pronari i Facebook, Meta po anulon planet për ndërtimin e një qendër gjigante të dhënash në Holandë, pas kundërshtimeve politike.

Anulimi erdhi një javë pasi Senati Holandez miratoi një mocion duke i kërkuar qeverisë së kryeministrit Mark Rutte të “përdorë fuqitë e saj” për të bllokuar përkohësisht ndërtimin në qytetin verior të Zeewolde, 50 km në lindje të Amsterdamit.

“Duke pasur parasysh rrethanat aktuale, ne kemi vendosur të ndalojmë përpjekjet tona të zhvillimit në Zeewolde”, tha kompania në një deklaratë zyrtare.

Qyteti në dhjetor kishte miratuar planet për të ndërtuar objektin më të madh të këtij lloji në Holandë, nga i cili Facebook, Instagram dhe WhatsApp do t’u shërbenin përdoruesve në të gjithë Evropën.

Ai do të përdorte 1.38 gigavat për orë energji elektrike dhe do të mbulonte 410 hektarë tokë bujqësore.

Mocioni i Senatit i kërkoi qeverisë të shtyjë ndërtimin derisa të miratohej një politikë e qeverisë për qendrat e të dhënave.

Kompania e la të hapur derën për rifillimin e projektit, duke thënë se do të vazhdojë të bashkëpunojë me bashkinë se çfarë të bëjë më pas.