Meta akuza kreut të SPAK, reagon Altin Dumani

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka rritur tonet ndaj drejtuesit të SPAK, Altin Dumani.

I ndodhur nën hetim pasuror nga SPAK për disa çështje penale ndaj tij dhe bashkëshortes, Meta ka hedhur akuza se ka takuar McGonigal.

Në një konferencë për shtyp Meta tha se edhe Nuredin Dumani, i akuzuar si autor i një sërë vrasjesh në vend, është një nivel më lart se kreu i Prokurorisë së Posaçme.

Sipas Metës, kushëriri i Nuredin Dumanit, siç e quajti ai, kreun e SPAK, mori peng PD-në përmes Charles McGonigal, por edhe partinë që ai tashmë drejton.

“Nuredini pavarësisht se është një personazh i një bote që e ka zgjedhur vetë, ka më shumë integritet se kushëriri i tij. Ky është zgjedhur për të respektuar kushtetutën. Nuredini ka bërë vrasjet që ka pranuar vetë, por ky karafil mendon se mund të bëhet një vrasës i suksesshëm i pluralizmit politik në vend. Ky mendon se mund ta arrijë përmes Ramës me McGonigal, siç është rasti i kryetarit të PD që ishte peng, apo përmes kapjes së ndonjë laraske apo sufllaqexhiu nga Partia e Lirisë. Këtë e gënjejnë se do ta bëjnë kryeministër dhe qesh Shqipëria sot. Dikur kështu gënjenin dhe Fatos Klosin. U bëj thirrje kushërinjve të Nuredinit të bëhen gati nëse e dinë kaq të thjeshtë punën e Partisë së Lirisë dhe Ilir Metës të pyesin edhe mentorët e tyre se si e kanë parë veten shumë shpejt nga pozita e të fortit në atë të të shtrydhurit nga politika. Ky as në nivelin e Nuredinit nuk është dhe nuk prisnim që të thoshte që e kam takuar McGonigal”.

Lidhur me akuzat e Ilir Metës reagoi drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i cili deklaroi se nuk e kishte takuar kurrë ish agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.

“Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme, te pabaza që bëhen për institucion që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve ne mediat shqiptare.” ka reaguar Altin Dumani.