
Mesazh kërcënues për Messin, të shtëna armësh në dyqanin e familjes
Disa të shtëna misterioze armësh u shënuan dje në dyqanin e mbyllur të familjes së bashkëshortes së Lionel Messi, para se një mesazh kërcënues të lihej aty për kampionin e botës.
“Messi, ne po të presim. Javkin është një narkoman, ai nuk të do të mirën,” thuhej në mesazhin e shkruar me dorë nga njerëzit që qëlluan 14 herë në fasadën e xhamtë të supermarketit.
Pablo Javkin i përmendur në mesazh, është kryebashkiaku i qytezës së lindjes së Messi, Rosario, ku ndodhet dhe supermarketi.
Vetë Javkin konfirmoi se dyqani i përket Antonela Roccuzzo, nënës së tre fëmijëve të yllit të futbollit, teksa shtonte se qëllimi ishte “krijimi i kaosit në qytet.”
“Ajo që ata kërkojnë janë përshkallëzimi i zhurmës, është djallëzore. Një sulm me objekt Lionel Messi krijon më shumë zhurmë se çfarëdo”, tha ai.
Edhe kreu i policisë vendase Ivan Gonzalez tha për mediat se mesazhi nuk ishte kërcënim por një tentativë për tërheqje vëmendjeje.