Mes presionit perëndimor, Kina shpreh mbështetje për Iranin

Gjatë një vizite të presidentit iranian Ebrahim Raisi në Pekin të martën, udhëheqësi kinez Xi Jinping shprehu mbështetjen e vendit për Iranin, në një kohë kur Teherani po përpiqet të zgjerojë marrëdhëniet me Pekinin dhe Moskën, për të kompensuar sanksionet perëndimore për aktivitetet e tij bërthamore.

Xi shprehu mbështetjen për qeverinë e Raisit, duke kritikuar dominimin e Uashingtonit në çështjet globale – një gjuhë e përdorur shpesh nga Pekini zyrtar. Kina dhe Irani e portretizojnë veten, krahas Moskës, si kundërpesha ndaj fuqisë amerikane.

“Kina mbështet Iranin në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar” dhe “për t’i rezistuar unilateralizmit dhe bullizmit”, tha Xi në një deklaratë të transmetuar nga televizioni shtetëror kinez në faqen e saj të internetit.

Xi dhe Raisi morën pjesë në nënshkrimin e 20 marrëveshjeve të bashkëpunimit, duke përfshirë tregtinë dhe turizmin, njoftoi qeveria kineze. Këto i shtohen një marrëveshjeje strategjike 25-vjeçare të nënshkruar në vitin 2021 për bashkëpunim në zhvillimin e industrisë së naftës dhe fushave të tjera.

Kina është një nga blerësit më të mëdhenj të naftës iraniane dhe një burim i rëndësishëm investimesh për vendin.

Irani ka qëndruar për vite nën sanksionet tregtare dhe financiare të vendosura nga Uashingtoni dhe qeveritë e tjera perëndimore, për shkak të përpjekjeve të Teheranit për të zhvilluar armë bërthamore, një akuzë që qeveria iraniane e mohon.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ndërprenë Iranit aksesin në rrjetin që lidh bankat globale në vitin 2018.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price, i kërkoi Kinës të ndikojë në Iran dhe të ulë kërcënimet e mundshme në rajon, duke thënë se një gjë e tillë “do të ishte në interesat tona të përbashkëta”.

“Republika Popullore e Kinës ka një rol për të luajtur në sinjalizimin shumë të qartë të Iranit se aktivitetet e tij destabilizuese – se skicimi i tyre – nuk do të shpërblehet, nuk do të mbështetet. Nuk është diçka që komuniteti ndërkombëtar është i përgatitur të rrijë duarkryq dhe ta shikojë”, tha Price të martën para gazetarëve në Uashington.

Xi tha se Pekini “kundërshton forcat e jashtme që ndërhyjnë në punët e brendshme të Iranit dhe minojnë sigurinë dhe stabilitetin e Iranit”, sipas deklaratës së qeverisë.

Qeveria e Raisit nuk dha detaje të takimit, por presidenti i quajti të dy qeveritë “mike në situata të vështira”.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, i pyetur nëse Pekini ishte i shqetësuar se afrimi me Iranin mund të komplikonte lidhjet SHBA-Kinë, tha se “marrëdhëniet e tyre miqësore” kontribuojnë në “promovimin e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme”.

“Marrëdhëniet tona nuk synojnë asnjë palë të tretë,” tha zëdhënësi, Wang Wenbin.