“Mes dashurisë e urrejtjes”. Historia e betejës ligjore të Johnny Depp me Amber Heard

Beteja e hidhur ligjore e Johnny Depp dhe ish-bashkëshortes Amber Heard ka nisur për herë të parë në Virxhinia.

Pasi humbi raundin e parë – një gjyq për shpifje në Britani, aktori Depp, 58 vjeç paditi Heard, 35 vjeçe për 50 milionë dollarë lidhur me një shkrim që ajo publikoi për The Washington Post në të cilin pretendonte se ishte viktimë e abuzimti në familje. Heard e ka paditur përsëri aktorin, me një kundërpadi prej 100 milionë dollarësh.

Gjyqi për shpifje pritet të shfaqë akuza të dhimbshme për abuzim në familje. Ai do të transmetohet drejtpërdrejt dhe do të përfshijë një numër dëshmitarësh të profilit të lartë, duke përfshirë James Franco, Paul Bettany dhe Elon Musk.

Ndërsa çështja u hap këtë të martë, ju tregojmë të përmbledhur të gjithë historikun e marrëdhënies së tyre, se si arriti çështja deri këtu dhe çfarë pritet të ndodhë më pas.

*****

Depp dhe Heard filluan të dalin bashkë në fillim të vitit 2012, pasi u takuan për herë të parë gjatë xhirimeve për The Rum Diary disa vite më parë. Ata u lidhën dhe në vitin 2015 u martuan bashkë. Por vetëm 15 muaj pas martesës, marrëdhënia e tyre mori fund.

Heard bëri kërkesën për divorc dhe kërkoi një urdhër ndalimi, teksa u paraqit në një gjykatë të Los Angeles me një shenjë të mavijosur në faqe.

E pyetur se çfarë i kishte ndodhur, ajo tregoi se burri i saj 23 vjet më i madh se ajo ( Depp) e kishte dhunuar, duke i hedhur telefonin në fytyrë: “Me gjithë forcën”. Ajo pretendoi se ka patur edhe raste të tjera ku ish burri i saj ka abuzuar emocionalisht, verbalisht dhe fizikish me të, dhe këto i kishte shkruar me detaje në dosjen gjyqësore që kishte dorëzuar në gjykatë.

Por Depp i mohonte vazhdimisht këto akuza. Një gjykatës i dha Heard-it një urdhër ndalimi të përkohshëm, por disa orë para se të fillonte gjyqi civil mbi urdhrin, ajo dhe Depp lëshuan një deklaratë të përbashkët duke thënë se i kishin zgjidhur bashkë mosmarrëveshjet, dhe gjithçka të mbyllet me aq.

“Marrëdhënia jonë ishte shumë pasionante dhe nganjëherë e paqëndrueshme, por gjithmonë e lidhur nga dashuria. Asnjëra palë nuk ka bërë akuza të rreme për përfitime financiare. Nuk ka pasur kurrë ndonjë qëllim për dëmtim fizik apo emocional”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Depp i dha Heard 7 milionë dollarë si pjesë e zgjidhjes së tyre të divorcit, të cilat ajo u zotua t’i dhuronte Unionit Amerikan të Lirive Civile – por ekipi i Depp ka thënë se ato para nuk kanë shkuar kurrë në Union.

Për një periudhë kohe të caktuar, gjithçka dukej civile mes ish-çiftit.

Por më pas në dhjetor të vitit 2018, Heard shkroi një artikull në The Washington Post, duke përshkruar përvojën e saj si një “figurë publike që përfaqëson abuzimin në familje”.

“Ndjeva forcën e plotë të zemërimit mbi kulturën tonë për gratë që flasin. Kam parë se si institucionet mbrojnë burrat e akuzuar për abuzim.”

Ajo nuk e përmendi me emër ish-bashkëshortin apo ndonjë autor tjetër të dyshuar lidhur me pretendimet e abuzimit.

Por sipas ankesës së Depp, këto pretendime gjithsesi përbëjnë shpifje ndaj tij, që i prishin dhe i dëmtojnë karrierën.

“Akuzat e Heard… janë pjesë e një mashtrimi për të gjeneruar publicitet pozitiv për të dhe për të çuar përpara karrierën e saj”, ka deklaruar avokati i Depp.

Amber Heard

*****

Ekipi ligjor i Depp argumentoi se gjyqi duhet të mbahet në Virxhinia, aty ku ndodhen dy zyra të Washington Post dhe ku gazeta publikohet fizikisht.

Një avokat në Los Angeles i cili ka përfaqësuar dhe mbrojtur persona me akuza të shpifjes, thotë se zgjedhja e Depp ndoshta është e lidhur me diçka që quhet ligji Anti-Slapp ( Padia strategjike kundër pjesëmarrjes publike”.

Këto statute shtetërore janë në thelb zgjerime të Amendamentit të Parë, duke i dhënë mbrojtje shtesë fjalës dhe aktiviteteve të tjera që lidhen me çështje me interes publik.

“Nëse dikush, si Amber Heard, shkruan diçka për dhunën në familje dhe abuzimin e bashkëshortëve, këto janë padyshim çështje me interes publik”, thotë avokati Baker duke shtuar se Heard ka një formë imuniteti për të bërë ato pretendime.

Si në Virxhinia ashtu edhe në Kaliforni ka versione të ndryshme të ligjit Anti-Slap, por ato të Kalifornisë janë më të forta. Atje, të pandehurit si Heard kanë të drejtën të kërkojnë menjëherë mbrojtje. Nga ana tjetër në Virxhinia, të pandehurit nuk lejohen të kenë mbrojtje në fazat e hershme të procedurave ligjore.

Depp do të duhet ende të kapërcejë një argument lidhur me ligjin Anti-Slap nga ish-gruaja e tij. Muajin e kaluar, një gjykatës i Virxhinias vendosi që Heard mund të ngrinte statutin në gjyq, duke argumentuar se shkrimi i saj në Ëashington Post është një fjalim i mbrojtur.

Thënë shkurt, për Depp është një mal për tu ngjitur, dhe thjesht në Virxhinia mund të vonohet shumë që të arrijë majën.

*****

Në vitin 2018, para botimit të shkrimit të Heard, aktori Depp paditi News Group Newspapers Ltd, botuesit e gazetës britanike The Sun për shpifje për një artikull që i referohej atij si “Wife’s Beater”. Por ndërsa kjo betejë ligjore ishte mes Depp dhe The Sun, gjyqi tre-javor në Londër dukej më shumë si një grindje mes ish-bashkëshortëve.

Shanset e suksesit të Depp ishin më të mira në Angli sesa në SHBA, ku një person ndaj të cilit pretendohet se është shpifur, ky person duhet të provojë se çfarë u tha për të që nuk është e vërtetë.

Por përtej Atlantikut është e kundërta: Barra e provës i takon shpifësit të supozuar, i cili duhet të provojë vërtetësinë e gjërave që ka thënë. Megjithatë, Depp humbi. Një gjykatës britanik vendosi se “shumica” e akuzave për abuzim mund të vërtetoheshin sipas standardit civil – që do të thotë se abuzimi kishte më shumë gjasa të kishte ndodhur sesa të mos kishte ndodhur. Vitin e kaluar, apeli i Depp në atë rast u refuzua.

Johnny Depp

*****

Janë rreth 120 persona në listën e dëshmitarëve të mundshëm. Suhmë prej tyre janë të njohur, miliarderë, aktorë etj. Mjaft të përmendim Elon Musk, Ellen Barkin, Paul Bettany dhe James Franco.

CEO i Tesla pritet të dëshmojë në favor të Heard. Elon Musk, për të cilin thuhet se ishte në lidhje me Heard midis viteve 2016-2018, ofroi mbrojtje 24/7 për yllin e Justice League dhe Aquaman dhe që të qëndronte larg Depp. Musk i ka dërguar dhe mesazhe Heard duke i ofruar ndihmë, dhe këto mesazhe janë lexuar në gjyqin për shpifje në Londër. James Franco gjithashtu pritet të flasë në favor të Heard. Aktorja ka thënë se ia ka treguar Franco-s fizikisht mavijosjet që ka marrë në një zënkë të dyshuar me Depp.

Ndërsa Paul Bettany, i cili e ka quajtur Depp njeriun më të sjellshëm e më të butë që njeh, sigurisht do të mbajë anën e mikut të tij. Ndoshta do të përballet edhe me pyetje në lidhje me disa mesazhe të shkëmbyera mes tij dhe Depp në vitin 2013.

“Do të jetë një cirk i vërtetë,” parashikojnë gazetarët e Gossip.

*****

Beteja e ardhshme, që pritet të zgjasë deri në gjashtë javë në shumë mënyra do të jetë një ripërsëritje e gjyqit në Londër, duke ekspozuar detaje të çuditshme rreth marrëdhënies së mëparshme të Depp dhe Heard, me akuza për abuzim që synojnë të dyja palët.

Heard me siguri do të përsërisë pretendimet për sulm verbal dhe fizik nga një Depp i paqëndrueshëm gjatë gjithë marrëdhënies së tyre. Depp, nga ana tjetër, ndoshta do t’i kthehet pohimeve të tij se Heard ishte agresorja dhe se gjithë këtë po e bën në rolin e viktimës për përfitime financiare dhe reputacioni.

Në të vërtetë, cilido qoftë rezultati ligjor, vendimi i Depp për të nisur një çështje gjyqësore e vërteta është se vëmendja më e madhe si rrallëherë po i kushtohet jetës së tij personale.

*Artikulli përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tibo News.