
Mercedes-Benz prezanton modelet AMG elektrike
Mercedes-Benz ka prezantuar së fundmi modelet e reja të makinave të saj elektrike, AMG EQE, që vjen në dy versione, versioni 43 dhe 53 me deri në 678 kuaj fuqi. Me këto modele Mercedes-Benz synon të rivalizojë në treg modelin 3 të Teslas.
Modelet e reja të AMG EQE duken identike me ato të vjeshtës së shkuar, por nuk janë. Ndryshimet janë poshtë kofanos dhe në aerodinamikë.
Objektivi kryesor është që t’i përmbushen kërkesat e të pasionuarve pas shpejtësisë dhe në fakt në këtë drejtim gjermanët nuk zhgënjejnë pasi kanë bërë një model elektrik që arrin nga zero në 100 km/orë për vetëm 3.2 sekonda.
Të fiksuarit pas adrenalinës dhe makinave sportive kanë arritur të fitojnë edhe një opsion shtesë nga Mercedes-Benz, zhurma. Modelet 43 dhe 53 kanë si opsion që nga modaliteti silencioz ta kalojnë makinën me zhurmë agresive që imiton ato të motorëve me djegie të brendshme duke i shtuar kështu edhe më tej idenë e një super-makine.
Krahasuar me modelin 3 të Teslas, Mercedes-Benz thotë se ofron një bateri më të fuqishme, e aftë për të garantuar një lëvizje deri në 255 kilometra me një karikim, të paktën 3 kilometra më shumë se Tesla. Kjo falë baterisë me fuqi 90 kWh.
Marka gjermane synon t’i nxjerrë treg me prodhime në seri rreth fundit të vitit 2022 ose fillim-viti 2023. Modeli sedan mendohet të kushtojë me çmim bazë rreth 120 mijë euro, pa përfshirë këtu paketat sportive apo opsionet e tjera.