
Mënyra që gjetën afganët si mirënjohje për strehimin në Shqipëri
“Faleminderit Shqipëri! Nuk do të harrojmë.” Ky mesazh u përcoll në formë pikture në një mur pranë sheshit Skënderbej nga disa qytetarë afganë, të cilët janë strehuar në vendin tonë. Përpos këtij mesazhi ata kanë pikturuar një hartë me disa shenja dalluese për të dëshmuar pjesët të kulturës afgane në Shqipëri.
Ishte kjo një mënyrë e tyre për të falënderuar mikpritjen dhe bujarinë që kanë treguar shqiptarët me ta.
Harta së bashku me mesazhet u realizua nga grupi artistik afgan “ArtLords”. Disa prej anëtarëve ende nuk kanë mundur të largohen nga Afganistani për shkak të trazirave nga talebanët. Për t’u solidarizuar edhe me ta, kanë realizuar një grafiti me mesazhin: Qëndroni të sigurt dhe të fortë”.
Qindra afganë u detyruan të braktisnin atdheun e tyre. Nga qeveria shqiptare është njoftuar se do të mund të strehohen 4 mijë emigrantë. Kryeministri Rama ka thënë se ata kanë mundësi të kualifikohen për të marrë vizë e për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç shpresojnë edhe vetë ata.
Në vendin tonë deri më tani thuhet të kenë mbërritur 2400 afganë.
Organizata joqeveritare “National Endowment for Democracy” me qendër në SHBA mori pjesë në pikturimin e muraleve. Ajo vlerësoi mënyrën e veçantë që kanë gjetur afganët e strehuar në Shqipëri.
Shumë njerëz në Afganistan i druhen frikës se talebanët do rivendosin rregullat e ashpra të ligjit islamik. Njëjtë me ligjet e vendosura nga viti 1996 deri në vitin 2001.