Media italiane: Kampet në Gjadër nuk do jenë gati në maj, po rriten kostot

Ishte përfolur se kampi i ri i refugjatëve nga Italia do të përfundonte në maj të këtij viti, por ky tashmë duket si një projektim ‘I djegur’.

Ky ishte në fakt edhe synimi i qeverisë italiane, por media italiane La Repubblica ka publikuar një afat të ri 10 nëntorin.

Bëhet fjalë për kampin e emigrantëve afrikanë që do të ngrihet në Gjadër të Shëngjinit, për të cilin u bë një marrëveshje mes qeverisë shqiptarë dhe asaj italiane.

Në portin e Shëngjinit dhe në ish-bazën ushtarake të Gjadrit punimet janë në hapat e para dhe po kryhen inspektimet të cilat po nxjerrin në pah edhe një sërë vështirësish në zonë.

Kjo ka bërë të pamundur që qendrat të jenë gati deri në maj, pasi do të duhen më shumë muaj punë.

Media italiane shkruan se kostot për qendrën në Shqipëri vazhdojnë të rriten dhe mund të arrijnë shifrën rreth një miliardë euro në pesë vjet.

Ndërkaq, në ditët në viji pritet që Ministria e Brendshme italiane të shpallë tenderin 36 milionë euro për menaxhimin e qendrave. Në shqyrtim janë ofertat e tre kompanive të përzgjedhura nga tridhjetë pjesëmarrëse.

Një nga tre strukturat e planifikuara do ndërtohet pranë portit të Shëngjinit, ku duhet të kryhen procedurat e zbarkimit dhe identifikimit.

Pas zbarkimit që do bëhet në Shëngjin, emigrantët do spostohen në dy strukturat e tjera që po ndërtohen në Gjadër.

I gjithë perimetri do rrethohet nga një mur afro 7 metra i lartë që do shërbejë për të rritur sigurinë.  Pranë kampit ndodhen edhe banesat e fshatit Gjadër dhe Kakarriq.