
Mbyllen qindra shkolla në Nigeri, rrezik nga vrasjet dhe rrëmbimet
Viti i ri shkollor filloi në Nigeri këtë muaj, por më shumë se 600 shkolla janë ende të mbyllura për shkak të rritjes së rrëmbimeve dhe sulmeve nga bandat e armatosura, sipas autoriteteve.
Në qytetin e vogël Sabo, në jug të shtetit Kaduna, një grup nxënësish janë të vendosur në një strehimore pë shkak të një armiku të përbashkët: konflikti i armatosur. Shumica e fëmijëve mbërritën në këtë strehë të përkohshme me prindërit e tyre nëntorin e kaluar, pasi fshatrat e tyre u pushtuan nga bandat e armatosura.
Këtë muaj, Organizata e OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, raportoi se më shumë se 20 milionë fëmijë nigerianë nuk kanë akses në shkolla, rreth 2 milionë më shumë krahasuar me një studim të ngjashëm nga UNICEF në maj.
Por autoritetet nigeriane kundërshtojnë shifrat, duke thënë se situata është përmirësuar dhe se qeveria ka shpenzuar shumë më tepër për arsimin.
Autoritetet thonë gjithashtu se vlerësimet e UNESCO-s nuk kapin numrin e fëmijëve që ndjekin shkollat jokonvencionale në Nigerinë veriore.
Por Abdulsalami Ladigbolu, kreu i Federatës Read and Earn të UNESCO-s në Nigeri, tha se shumë faktorë që kontribuojnë në problemin u morën parasysh përpara publikimit të raportit.
Javën e kaluar, dhjetëra besimtarë u rrëmbyen në Kajuru dhe rrëmbyesit e tyre po kërkojnë më shumë se 450,000 dollarë si shpërblim.
Autoritetet nigeriane kanë intensifikuar goditjet ndaj bandave të armatosura dhe thonë se ka pasur njëfarë suksesi, duke përfshirë një sulm ajror të fundit që vrau rreth 200 banditë të dyshuar në veri.
Por derisa të trajtohet pasiguria, kërcënimi do të mbetet dhe njerëzit do ta kenë të vështirë të edukojnë fëmijët e tyre.
*TiboNews