Mbroni fëmijët nga fruthi, rubeola dhe shytat. Apeli i mjekëve: Bëni vaksinën

Vaksinimi në kohë për fëmijët duhet patjetër.

Mjekët pediatëri u kanë bërë apel prindërve të vaksinojnë në kohë fëmijët e tyre, me vaksinën kundër fruthit, rabeolës dhe shytave.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka postuar një status në rrjetet sociale ku thotë se vaksinimi në kohë i fëmijëve siguron një mbrojtje më të mirë.

“Për të mbrojtur fëmijët tuaj nga fruthi, rubeola dhe shytat, duhet patjetër t’i vaksinoni në kohë, sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit. Ndiqni këshillat dhe udhëzimet e mjekëve pediatër për të siguruar një mbrojtje më të mirë për fëmijët tuaj”.

Ministrja ka publikuar gjithashtu edhe mesazhin e mjekes pediatre Melida Agastra.

“Gjatë praktikës së punës së përditshme te konsultori i fëmijës, ne si mjekë pediatër, por edhe punonjësit e tjerë shëndetësorë që janë dhe infermieret tona, në të përditshmen tonë kemi si detyrë të punës sonë të bindim dhe të ndërgjegjësojmë prindërit që të sjellin fëmijët pranë konsultorit tonë, për të bërë vaksinimin e përcaktuar nga kalendari kombëtar i vaksinimit, dhe në veçanti vaksinën që mbron nga fruthi, rubeola dhe shyta. Kjo është një vaksinë shumë e rëndësishme që u jep mbrojtje gjatë gjithë jetës fëmijëve.  Prindër të dashur, duhet patjetër t’i vaksinoni fëmijët tuaj për mbrojtjen nga sëmundjet e fruthit, rubeolës dhe shytave përveç edhe vaksinave të tjera që kryhen rregullisht. Kjo është një ndër vaksinat që prindërit hezitojnë të vijnë në kohën e duhur apo nga informacionet e gabuara, kërkojnë që të shtyjnë afatin kohor të kryerjes së kësaj vaksine”.