Mbretëria e Bashkuar përgjysmon faturat e energjisë për bizneset

Britania u zotua të mërkurën të kufizojë kostot e energjisë për bizneset.

Qeveria tha se çmimet me shumicë të energjisë elektrike dhe gazit do të jenë më pak se gjysma e normës së tregut nga muaji i ardhshëm.

Kjo do të lehtësojë presionin nga rritja e kostove të energjisë, por do të shtojë shpenzimet në rritje të shpejtë të vendit.

“Vështirësia për t’ju dhënë një shifër të kostos është se kjo do të varet nga ku shkon çmimi i energjisë gjatë dimrit dhe kjo është shumë e vështirë të parashikohet kështu që nuk mund t’ju jap një kosto absolute, por ne po flasim për shumën miliarda paund, padiskutim.” tha ministri britanik i biznesit Jacob Rees-Mogg.

Çmimet me shumicë për energjinë elektrike do të kufizohen në rreth 239 dollarë për megavat orë.

Gazi do të kufizohet në 85 dollarë për megavat orë, shumë nën normat e parashikuara të tregut.

Grupet që përfaqësojnë bizneset nga pijet deri tek prodhuesit e çelikut e mirëpritën ndërhyrjen.

Qeveria nuk publikoi asnjë vlerësim të kostos, por raportet kanë vendosur çmimin e gjashtë muajve të mbështetjes deri në 48 miliardë dollarë.

Kjo është mbi më shumë se 113 miliardë dollarë për një skemë të shpallur më parë për të ndihmuar familjet.

Çmimet përfundimtare për njësi do të konfirmohen më 30 shtator.

Skema e energjisë për biznesin do të zbatohet fillimisht nga data 1 tetor deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

Ministri i Financave Kwasi Kwarteng do të japë një deklaratë të premten.

Ai pritet të përcaktojë se si do të paguajë për skemën e energjisë, duke përmbushur edhe premtimet për uljen e taksave.

 

*TiboNews