
Mbrëmja falenderuese për 150 delegacionet e peshëngritjes në Tiranë
Pallati i Brigadave priti të dielën aktivitetin mbyllës të Kongresit Elektoral të Federatës Botërore të Peshëngritjes, që u zhvillua për herë të parë në Tiranë. Mbrëmja falenderuese kishte të ftuar mbi 150 delegacione nga të gjitha vendet e botës, kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Komitetit Olimpik Shqiptar Fidel Ylli, presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes Elez Gjoza dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Komitetit Olimpik Shqiptar, vendi ynë mundësoi për herë të parë marrjen e vizave më shpejt për sportistët, me rastin e zhvillimit të Kampionaitit Evropian të Peshëngritjes për herë të parë në Shqipëri. Vitin që vjen pritet që të zhvillohet edhe Kampionati i të Rinjve Peshëngritës.
Gjatë fjalimit të tij, Presidenti i sapozgjedhur i Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes, Mohammed Jalood tha se përshtypjet e tij ishin se Tirana është ‘kryeqyteti i peshëngritjes’ dhe ‘zemra e botës’.
“Nuk kam parë ndonjëherë respektin e që gjeta këtu (Tiranë) për peshëngritjen. Arabët si unë dhe shqiptaret kanë një lidhje të veçantë. Faleminderit të gjithë shqiptareve për mikpritjen dhe në veçanti, kryeministrit Edi Rama,” u shpreh Jalood.
Nga ana tjetër, z. Rama nuk nguroi të mburrej me organizimin, duke thënë gjithashtu se zgjedhjet që u bënë për herë të parë në Tiranë i sollën fat Presidentit të ri Jalood dhe zv. Presidentit Pirro Dhimo.
“Pallati i Brigadave mund të jetë i vetmi Pallat Mbretëror ku kurrë nuk ka fjetur një mbret, prandaj dhe të gjithë të ftuarit mund të ndihen si mbretër. Ne e kemi për nder që ta bëjmë gjithsecili të ndihet i tillë,” tha Rama në fjalën e tij.
Zhvillimet e fundit sportive kanë bërë që t’i jepet zë më shumë federatave sportive shqiptare dhe duket sikur paraqet imazhin e ri të Shqipërisë në botë.
*TiboNews