Mblidhet Këshilli për imunitetin e Sali Berishës, priten protesta

Ditën e sotme në orën 12:00 mblidhet Këshilli i Mandateve që pritet të marrë në shqyrtim kërkesën e SPAK-ut që kërkon dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në të njëjtën orë pritet që opozita të jetë në mosbindje civile para Kryesisë së Kuvendit.

Berisha është shprehur më herët se opozitarët do të protestojnë të hënën për atë që e quan grusht brenda shtetit. Ai ka deklaruar se edhe pse protesta e thirrur përkon me të njëjtën orë me mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores nuk ka lidhje me vendimin që pritet të merret për fatin e imunitetit të tij.

E sa i përket vendimit, ish-kryeministri është shprehur se do ta njohë atë që do të vendosë parlamenti. Për tubimin e thirrur nga demokratët, komisariatet e policisë do të jenë në gatishmëri dhe për mbarëvajtjen e tij.

Drejtoria e Policisë së Tiranës ka hartuar një plan masash me prezencë të shtuar të punonjësve të rendit në perimetrin ku do të mbahet protesta.