
Mbi 90 viktima nga shirat e dendur në qytetin historik të Brazilit
Të paktën 94 njerëz humbën jetën në qytetin brazilian të Petropolisit pasi shirat e dendur shkaktuan rrëshqitje masive dheu të cilat përpinë disa shtëpi, përmbytën rrugët dhe lanë dhjetëra makinat dhe autobusë të bllokuar.
E vendosur në kodrat mbi Rio de Zhaneiro, Petropolis ose “Qyteti Perandorak”, ishte arratisja verore e monarkëve të Brazilit në shekullin e 19-të. Por këtë javë kishte pak aspekte të hijeshisë së saj perandorake, pasi përmbytjet shkatërruan rrugët dhe ndërtesat karakteristike me arkitekturë gjermane. Reshjet e kësaj jave kaluan mesataren e të gjithë muajit shkurt.
Banorë të shumtë shprehën shqetësimet e tyre për mediat ndërkombëtare se situata mund të vijojë të përkeqësohet.
Në lagjen Morro da Oficina, rreth 80 shtëpi u prekën nga rrëshqitjet e dheut. Autoriteteve druajnë se numri i viktimave të rritet. Njësitë zjarrfikëse dhe ekipet lokale të mbrojtjes civile rendën të jepnin ndihmë por kushtet ishin ekstreme.
Më shumë se 300 banorë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Për situatën e krijuar Bashkia e Petropolis shpalli tre ditë zie. Njerëzit e zhvendosur po dërgohen në shkolla dhe qendra sociale.
Presidenti Jair Bolsonaro, i cili po udhëtonte këtë javë për në Rusi, tha në Twitter se u kishte kërkuar qeverisë të ndihmonin Petropolis dhe viktimat e stuhisë.
Që nga dhjetori, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje vdekjeprurëse dhe rrëshqitje masive të dherave në verilindje të Brazilit. Ekspertët thonë se shirat e dendur janë rrjedhojë e ndryshimeve klimaterike si pasojë e ngrohjes globale.