“Mbi 50 mijë shqipe në stadium”, postimi i Ramës në prag të Kampionatit Europian

Kampionati Europian nis sot plot me emocione, me 51 ndeshje të cilat do të mund t’i shihni në cilësinë më maksimale në TIBO, live, për shqiptarët kudo në botë.

Një ditë më pas, të shtunën në orën 21:00 pritet që stadiumi në Dortmund të mbushet me 50 mijë shqiptarë që bëjnë tifo për Kombëtaren dhe tifozë të Italisë.

Numri i madh i tifozëve kuqezi ka bërë që kryeministri Rama të publikojë një status  ku thotë se ‘Shqipëria e ka fituar Europianin e saj dhe s’ka më asgjë për të humbur’.

Postimi i Kryeministrit Edi Rama:

“50 mijë shqipe dhe 31 mijë azzuri në shkallët e arenës së Dortmundit nesër, ku i famshmi Mur i Verdhë i Borussias do të zëvendësohet për një natë nga Dallga Kuqezi e Shqipërisë. Shqipëria e ka fituar Europianin e saj dhe s’ka më asgjë për të humbur, prandaj cilidoqoftë rezultati i ndeshjes mbrëmja e nesërme do të mbetet jo vetëm në historinë e futbollit shqiptar, po edhe në kujtesën e 10 milionë shqiptarëve”.

Mediat gjermane dhe më tutje tregojnë se janë shitur të gjitha biletat për sfidën Shqipëri-Itali.