Mbërrin në Tiranë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Antony Blinken ka mbërritur në aeroportin e Rinasit. Avioni i kreut të diplomacisë amerikane, konkretisht Sekretari amerikan i Shtetit  preku tokën shqiptare fiks në orën 11:11.

Ministri i Jashtëm Igli Hasani i uroi mirëseardhjen pasi ishte personi i parë që e priti pranë pistës së aeroportit të Rinasit.

Sekretari Blinken shoqërohet edhe nga ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Eskorta e Antony Blinken u nis drejt Tiranës, direkt pasi arriti në aeroport.

Kjo është vizita e parë në Shqipëri e Sekretarit Antony Blinken.

Forca të shumta të policisë e sigurisë janë të angazhuara për të garantuar sigurinë e zyrtarit të lartë përgjatë vizitës së tij 8-orarëshe.

Axhenda: 

Ndalesa e parë e Blinken do të jetë në ambasadën amerikane ku do ketë një takim me punonjësit për të shprehur vlerësimin për punën e bërë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në axhendën zyrtare të Antony Blinken, parashikohet takimi me presidentin Bajram Begaj, më pas do të shkojë i shoqëruar tek Piramida e Tiranës, ku do takojë rreth 100 të rinj të cilët kanë pasur mundësi që përmes studimeve apo edhe programeve të shkëmbimit të përjetojnë eksperiencën amerikane.

Në orës 16:00 do të zhvillohet takimi me kryeministrin Rama dhe më pas do mbahet një konferencë e përbashkët për medat në kryeministri. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mattheë Miller ka theksuar se vizita Blinken në Shqipëri është konfirmimi i marrëdhënieve të mira mes dy vendeve dhe mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë për Shqipërinë.

Ndërkaq, autoritetet vendase kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë.

Bulevardi Dëshmorët e Kombit është dekoruar me flamujt amerikan dhe atë shqiptar.

Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken viziton nesër Tiranën, ja axhenda e tij