Mbërrijnë në Shqipëri dronët “Bayraktar”

Dronët e quajtur “Bayraktar” kanë mbërritur tashmë në Shqipëri , teksa ka filluar prej dy ditësh montimi, paralelisht po kryhet edhe instalimi i infrastrukturës për operimin dhe kontrollin e tyre.

Lajmin e ka bërë me dije ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili ka postuar në rrjetet sociale pamjet e dronëve.

Nga “Facebook”, ministri Niko Peleshi shkruan se këta dronë jo vetëm që rrisin aftësinë e mbrojtjes së Shqipërisë, por ato shërbejnë dhe si dëshmi e angazhimit të vendit tonë për garantimin e sigurisë kombëtare dhe përmbushjen e standardeve më të larta të mbrojtjes.

Peleshi e quan këtë arritje dhe si një simbol i dedikimit të ministrisë drejt modernizimit dhe inovacionit në Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Postimi i Peleshit:

“Dronët Bayraktar, të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, tashmë janë në Shqipëri! Prej dy ditësh, ka filluar montimi dhe paralelisht po kryhet instalimi i infrastrukturës mbështetëse për operimin dhe kontrollin e tyre. Ky zhvillim jo vetëm që rrit aftësitë e mbrojtjes së Shqipërisë, por shërben edhe si dëshmi e angazhimit të vendit për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të përmbushur standardet më të larta të mbrojtjes. Kjo arritje, simbol i dedikimit tonë drejt modernizimit dhe inovacionit në Forcat tona të Armatosura”.