Mashtroi me emetimet, Koreja e Jugut gjobit kompaninë Mercedes-Benz

Autoritetet e Koresë së Jugut njoftuan të hënën se kanë vendosur të gjobisin markën gjermane të makinave Mercedes-Benz me rreth 17 milionë dollarë. Një zëdhënëse e Komisionit të Tregtisë dhe të Drejtave të Konsumatorëve tha se marka gjermane kishte gënjyer me fushatat e saj të reklamave rreth emetimeve të gazit për versionet e makinave me naftë.

Autoritetet koreano-jugore thanë se kishin konstatuar ndërhyrje me programe kompjuterike në pajisjet që kompania kishte vendosur për zbutjen e ndotjes. Ata thanë se ishte provuar që programet kompjuterike gënjenin aparaturat e kontrollit duke ulur performancën gjatë kolaudimeve ndërsa në përdorim të zakonshëm, kur këto programe nuk viheshin në punë emetimet ishin në krejt të tjera nivele.

Koreja e Jugut thotë se pas kontrolleve në masë kanë rezultuar të paktën 15 modele të Mercedes-Benz që kishte softuerë të tillë të instaluar.

Autoritetet koreane thonë se kompania përveçse mashtroi me emetimet, reklamoi në mënyrë të rreme se makinat e saj mbetën në një nivel minimal dhe përmbushnin standardet e emetimit Euro 6 për prodhimet e periudhës gusht 2013 dhjetor 2016.

Agjencia e lajmeve Reuters kërkoi një koment nga Mercedes-Benz për këtë gjobë, por ata nuk iu përgjigjën kërkesave.

Vitin e kaluar, Koreja e Jugut vendosi një gjobë të ngjashme dhe detyroi ndryshimin e modeleve për kompanitë Audi, Volkswagen, Nissan dhe Porsche, të cilat gjithashtu u provua se manipulonin me programe kompjuterike emetimet vetëm gjatë kolaudimeve.