‘Marrëveshjen për emigrantët do e bëja sikur 100 herë të kthehesha pas’

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do përfundoja edhe një herë në kënetën e betejës politike italiane në thonjëza me fjalë që nuk i thashë kurrë”. Kështu e nis reagimin e tij në rrjetet sociale kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, pas intervistës së dhënë për median italiane prestigjioze “La Republica”.

Kryeministri Rama i referohet kështu titujve në mediat italiane, që sipas Ramës, kanë cituar jo drejt përgjigjet e tij të dhëna në atë intervistë.

Rama shprehet se:

“Jo, as kam ndryshuar ide, as kam dhënë intervistë. Kam bërë shqiptarin që praktikon fenë e vet të lashtë të mikpritjes – shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut – duke iu ofruar një kafe disa miqve të mirë që kishin ardhur në Tiranë nga Italia. Folëm për shumë gjëra në një atmosferë të bukur miqësore dhe, sigurisht, edhe për marrëveshjen dhe historinë e imigracionit klandestin nga Shqipëria drejt Italisë, të cilit qeveria D’Alema arriti t’i jepte fund me një logjikë dhe largpamësi strategjike. Kurrë, ama, nuk e kisha menduar që do të përfundoja edhe njëherë në batakun e luftës politike italiane, duke më cituar me fjalë që nuk i kam thënë kurrë, të llojit “do jetë një dështim” ose “do duhej D’Alema” nën titullin “Rama heq dorë nga Meloni”,  ku nuk e gjej aspak veten.”

Kryeministri Rama thekson se marrëveshjen me Italinë për emigrantët do e bënte sikur 100 herë të kthehej pas.

Rama:

“Megjithatë, e përsëris: Edhe po të kthehesha një qind herë pas, sërish do ta bëja marrëveshjen për migrantët me Italinë dhe me asnjë vend tjetër. E kam thënë gjithnjë që, sipas meje, është diçka e re që duhet të kalojë provën e realitetit. Pastaj, nëse për realitet merret një foto e publikuar nga një kantier orët e para të punës, shoqëruar me titullin “800 milionë të hedhura kot”, atëherë jetojmë në botë  paralele dhe asgjë nuk mund të na afrojë me sfidën masive të migracionit të paligjshëm, në një Europë që duhet të bashkohet për të luftuar në të njëjtën kohë trafikimin kriminal të të varfërve dhe dimrin demografik që kërcënon gjithnjë e më shumë të ardhmen e saj, ndërkohë që politikanët u ngjasojnë priftërinjve të Kostandinopojës, të cilët ishin kaq të zënë me grindjet për seksin e engjëjve, saqë nuk po kuptonin që muret e qytetit ishin rënë tashmë nga të gjitha anët.”