Markat japoneze mbeten prapa në nismat për makina elektrike

Markat japoneze të makinave po mbeten pas në prodhimin e varianteve që mbështesin lëvizjen me zero emetime karboni.

Kështu thuhet në një raport të ri nga Greenpeace. Raporti renditi dhjetë prodhuesit e mëdhenj të automjeteve për përparimin e tyre sa i takon politikë së dekarbonizimit të transportit.

Toyota u rendit në fund.

Raporti thotë se automjetet me emetim zero përbëjnë më pak se 1% të shitjeve të gjigandit japonez.

Grupet mjedisore thonë se Toyota ka qenë shumë e ngadaltë për të përqafuar nismat e reja për modele makinash tërësisht elektrike.

Raporti thekson se për Toyota-n kjo është një kthesë drastike duke pasur parasysh se dy dekada më parë, modeli i saj Prius ishte pionier i makinave hibride.

Si përgjigje, Toyota tha se po punonte sa më shpejt që të ishte e mundur për të ulur emetimet e saj.

Raporti renditi markat e tjera Nissan dhe Honda në vendin e 8-të dhe të 9-të.

Greenpeace thotë se Honda nuk ka udhërrëfyes për arritjen e objektivave të veta, ndërkohë që shitjet me emetim zero kishin pak rritje te Nissan.

Honda tha se po vazhdon të punojë drejt modeleve neutrale ndaj karbonit me planin afatgjatë të parashikuar deri në vitin 2050.

Ndërsa Nissan tha se do të vazhdojë të përshpejtojë përpjekjet e saj për elektrifikimin e makinave.

Kompania ka qenë një ndër përqafueset e hershme të makinave elektrike me modelin e saj Leaf.

Renditja vjetore u kryesua sërish nga kompania amerikane General Motors.