Marihuana është më e popullarizuar se alkooli në SHBA

Përdorimi i përditshëm i marihuanës ka tejkaluar përdorimin e rregullt të alkoolit në SHBA, sipas të dhënave nga Anketa Kombëtare për Përdorimin e Drogës dhe Shëndetin, të publikuara këtë të enjte në revistën “Addiction”.

Dy vjet më parë, përdorimi i marihuanës kapërceu përdorimin e alkoolit për herë të parë, tha autori i studimit Jonathan Caulkins, një studiues i përdorimit të kanabisit në Universitetin Carnegie Mellon në Pittsburgh.

Sipas rezultateve të studimit, në vitin 2022, rreth 17.7 milionë njerëz përdorën marihuanë çdo ditë ose pothuajse çdo ditë, krahasuar me 14.7 milionë njerëz që pinin çdo ditë ose pothuajse çdo ditë. Nga viti 1992 deri në vitin 2022, shkalla e përdorimit të rregullt të marihuanës u rrit me 15 herë.

Shumica e shteteve amerikane e kanë dekriminalizuar marijuanën, duke lejuar përdorimin e saj mjekësor dhe rekreativ, por ajo mbetet e paligjshme në nivel federal.

Në nëntor, votuesit e Floridës do të vendosin nëse do të miratojnë një amendament kushtetues për të lejuar përdorimin rekreativ të kanabisit dhe qeveria federale synon ta klasifikojë marihuanën si një drogë më pak të rrezikshme.