Maqedoni e Veriut, hapet fushata presidenciale

Në Maqedoninë e Veriut u hap zyrtarisht fushata për zgjedhjet presidenciale. Në ditët e ardhshme, qytetarët do të ballafaqohen me programe, premtime, pllakata, debate e kritika nga shtatë kandidatët për president.

Çfarë presidenti i duhetMaqedonisë së Veriut? Kjo është pyetja kryesore në këtë fushatë zgjedhore. Në mesin e kandidatëve ka premtime të ndryshme, slogane e forma të ndryshmë për ta tërhequr votuesin. Disa premtojnë hyrje në BE,disa dëshirojnë ta bëjnë Maqedoninë e Veriut krenare t’i kthejnë dinjitetin, disa premtojnë luftë të pakompromist ndaj korrupcionit dhe kriminalitetit.

Fushata e kandidates për presidente nga opozita maqedonase VMRO-DPMNE Gordana Siljanovska Davkova është bazuar në premtimet për kthimin e krenarisë maqedonase. “Mund të ndryshoni gjithçka, por mëmëdheun asnjëherë. Jo rastësisht jemi lindur në Maqedoni, këtu buron energjia për ta bërë vendin më të fortë më të dashur dhe më konkurrues. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë respekt në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Siljanovska Davkova. Ajo ka premtuar se do të angazhohet për pajtim dhe unitet, si dhe për aleanca të reja, pa saktësuar se cilat janë ato.

“Ne kemi parë se ku na çuan ndarjet. Ato e bënë këtë shtet që t’i ngjajë një arene gladiatorësh. Të tjerët nuk janë armiku ynë, por partnerë, për çfarëdolloj çështjeje”, ka vlerësuar Silkjanovska Davkova.

Presidenti aktual, Stevo Pendarovski që garon me mbështetjen e Lidhjes Social-Demokrate në pushtet, ka thënë se nëse e marr sërish mandatin e presidentit do të vazhdoj t’i trajtojë të gjithë qytetarët njëlloj pa marë parasysh se çfarë kombi apo feje janë ata. Do të vazhdoj të bashkëpunoj dhe respektoj të rinjtë, ka thënë Pendarovski.

“Në javët e ardhshme qytetarët do të gjenden para dilemave të njëjta sikur edhe shumë vite më parë, që t’ua japin besimin pseudo-patriotëve apo atyre që treguan se dinë dhe munden ta pozicionojnë Maqedoninë e Veriut në vendin e duhur. Atyre që dinë t’i mbrojnë interesat shtetërore në botë, atje ku të mëdhenjtë diktojnë rregullat”, ka deklaruar Stevo Pendarovski.

Bujar Osmani, kandidat për president i mbështetur nga Fronti Evropian, në tubimin e promovimit ka thënë, se integrimi evropian është “shtylla” kryesore e programit të tij. “Jam shumë i qartë në perspektivat e reja se ku duhet të fokusohemi për t’i hequr barrierat që na mbajnë ende jashtë rrugës së progresit dhe zhvillimit që ofron shekulli XXI. Përkushtimi im për këto është dhe do të jetë i pathyeshëm. Njerëzit tanë, fëmijët tanë e meritojmë të ardhmen evropiane. Ne ua kemi borxh që ta ndërtojmë atë dhe ju premtoj se do ta ndërtojmë”, është shprehur Osmani.

Kandidati i opozitës shqiptare Arben Taravari në prezantimin e  programit presidencial, ka thënë se prioritet i tij është ndryshimi i Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në të, që është kriteri për integrimin e vendit në BE.

“Integrimi në BE është synimi ynë i padiskutueshëm. Do të kërkojmë garanci nga përfaqësuesi i lartë i BE-së se pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të këtë kërkesa shtesë për Maqedoninë e Veriut përtej kornizës negociuese të vitit 2022. Mandati për formimin e qeverisë do t’i besohet partisë apo partive që dëshmojnë se kanë shumicën në Kuvend duke kërkuar nga mandatari plan për realizimin e ndryshimeve kushtetuese”, ka thënë Taravari.

Kandidatja për presidente nga e Majta Biljana Vankovska ka premtuar, se fushata e saj do të jetë krejtësisht e kundërt nga oponentët e saj. Ajo premton kthimin e dinjitetit maqedonas.

Kandidati Maksim Dimitrievski fushatën e ka filluar në mënyrë simbolike nga Krusheva, ku premtoj se zëri dhe energjia e tij do të fokusohen në përforcimin  e mbrojtjes, sigurisë, institucioneve dhe qytetarëve në përgjithësi.

Kandidati i GROM Stefçe Jakimovski ka premtuar, se nëse fiton në garë presideciale asnjëherë nuk do të bëjë ndarjen e qytetarit në bazë etnike apo fetare. Çdo qytetar tek unë do të ketë mbërojtësin e vërtetë, ka thënë Jakimovski.

Në raundin e parë president mund të zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave nga numri i përgjithshëm i trupit votues, që arrin 1.8 milion zgjedhës./DW