
Manchester United dhe Roma në lëvizje për të përforcuar skuadrat
Merkatoja e futbollit vijon me raportime të shumta në shtypin ndërkombëtar, por vetëm disa klube të mëdha janë ato që po duken më tepër aktive.
Kështu të premten “Manchester Evening News” raportoi se “Djajtë e Kuq” i kanë propozuar klubit të Newcastle dhe Borussias së Dortmundit shërbimet e holandezit Donny van de Beek.
Mesfushori 24-vjeçar ka luajtur vetëm 13 ndeshje këtë sezon duke hasur vështirësi për të gjetur hapësira. Ndërkohë Manchester United sipas gazetës italiane Ra Republica është interesuar për të marrë shërbimet e mesfushorit spanjoll të Napolit Fabian Ruiz.
Spanjolli shtatlartë vlerësohet mbi 55 milionë euro në merkato dhe me Napolin ai është i lidhur me një kontratë deri në vitin 2023.
Në Francë gazeta “Le Parisien” raportoi se Manchester United mbetet e interesuar për t’i marrë Paris-Saint Germain-it trajnerin argjentinas Mauricio Pochettino. Argjentinasi u transferua në Paris më 2 janar 2021 dhe me klubin kryeqytetas është i lidhur deri në vitin 2023.
Presioni ndaj tij është në rritje pas ardhjes në skuadër të Lionel Messit dhe nëse Pochettino dështon të fitojë në Evropë gjasat janë që kontrata e tij t’i shkurtohet parakohe.
Në Romë të premten u prezantua portugezi Sergio Oliveira. Mesfushori 29-vjeçar u huazua nga Porto për 1 milion euro. Ai i tha gazetarëve se kishte krijuar marrëdhënie të mira me kapitenin Lorenzo Pellegrini dhe kishte zgjedhur Romën prej Jose Mourinhos.