Manastirliu në Universitetin e Sporteve: Investim në pistën e Atletikës

Ministria e Arsimit dhe Sportit për herë të parë financon projektin për pistën e re të atletikës në Universitetin e Sporteve.

Ministrja ishte e pranishme teksa bëri një vizitë në Universitetin e Sporteve ku u takua me studentë, sportistë, si dhe pedagogë të këtij universiteti.

Manastirliu foli për mbështetjen për sportistët, me investimet e reja të këtij viti. Ajo tha:

“Jemi këtu për një tjetër investim në kuadër të gjithë investimeve që ne kemi ndërmarrë për përmirësimin në infrastrukturës në institucionet e arsimit lartë. Tashmë në Universitetin e Sporteve ne do të kemi një projekt që po e financojmë dhe që vitin që vjen do ta kemi të përfunduar, për pistën e atletikës me 4 korsi dhe fushën e futbollit. Ky investim do të mundësojë që të kemi një nivel më të lartë dhe cilësi më të lartë përgatitjes së sportistëve tanë, përgatitjes së studentëve tanë dhe patjetër edhe zhvillimit të mëtejshëm të Universitetit të Sporteve, duke qenë se impiantet sportive dhe përgatitja e sportistëve të rinj, por edhe atyre që do të jenë trajnerët e sportistëve të rinjtë ndodh pikërisht në një infrastrukturë të përmirësuar”, tha Ministra e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Ministrja Manastirliu pa nga afër edhe laboratorin e Fizioterapisë, të cilit i janë shtuar aparatura të fjalës së fundit të teknologjisë.

Këto investime do shërbejnë jo vetëm për studentët dhe pedagogët, por edhe për komunitetin më të gjerë sportiv.