Manaj: Jemi të kënaqur me ecurinë, ndaj Spanjës për të shkruar historinë

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, doli në një konferencë për mediat dhe u ndal te barazimi me Kroacinë. Futbollisti kuqezi foli edhe për ecurinë e Kombëtares deri tani në Kampionatin Europian dhe për ndeshjen e të hënës ndaj Spanjës.

“Është ekip shumë i madh. Kanë lojtarë me kualitet dhe janë emra të mëdhenj. Ne duhet të bëjmë ndeshjen tonë, nuk duhet të shohim lojtarët e tjerë, të japim 100% nga minuta e parë deri në fund. Ekipi është shumë i motivuar, të gjithë lojtarët që do të luajnë në ndeshjen e fundit do të jenë të përqëndruar 100% sepse e pamë që në dy minuta, mund të futet një lojtar në minutë të 85-të, të ndryshojë ndeshjen dhe të bëjë gol. Emocionet janë të mëdha sepse është kampionat europian. Këto ndeshje i ndjek e gjithë Shqipëria dhe bota. Gjëja më e rëndësishme është që të futemi në fushë të përqëndruar, sepse mund të arrijmë fitoren kundër Spanjës dhe të kalojmë grupin.”