Lulzim Basha dorëhiqet nga drejtimi i PD-së

Lulzim Basha njoftoi sot dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike duke i hapur rrugë kështu procesit të ribashkimit të partisë, sikurse tha ai.

Në një deklaratë për shtyp pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Basha tha se ishte përpjekur ta mbante partinë të bashkuar dhe në respekt të parimeve të saj, por ai shtoi se “fatkeqësisht nuk pati sukses”.

“Për këtë arsye kam vendosur të bëj një hap pas dhe të jap dorëheqjen nga detyra”, theksoi Basha, i cili më 13 qershor 2021 qe rizgjedhur kryetar në procesin që u mbajt pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Në zgjedhjet brenda partisë, mbajtur qershorin e vitit të shkuar, Basha qe votuar me 81% përballë tre kandidatëve Fatbardh Kadilli, Agron Shehaj, Edit Harxhi.

Vendimi i sotëm për dorëheqje vjen pasi PD humbi në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit. Ajo nuk fitoi asnjë nga 6 bashkitë që ishin në diskutim, teksa rezultoi forcë e tretë në 5 prej tyre, – u mund edhe nga grupi mbështetës i Berishës, e ashtuquajtura “Shtëpia e Lirisë”, që fitoi Bashkinë Shkodër.

Përçarja për të cilën foli sot Basha ka lidhje me vendimin personal për të larguar nga grupi parlamentar ish-kryetarin Sali Berisha.

Në shtator të vitit 2021 Basha e përjashtoi nga grupi Berishën pasi ky në muajin maj qe shpallur “i padëshiruar” në SHBA për “korrupsion madhor”. Vendimi nxiti fraksionizimin e partisë në një grup që mbështeti hapur ish-kryetarin dhe që në janar madje synoi ta merrte selinë e PD-së me forcë.

Prej shtatorit 2021 PD është ndarë në dy grupime. Grupi “pro” Berishës u mbështet në zgjedhjet e 6 marsit nga aleatë si Lëvizja Socialiste për Integrim.