
Lufta në Ukrainë ‘ndez fitilin’ mes SHBA-ve dhe Kinës
Kina do të përballet me pasoja të rënda nëse ndihmon Rusinë me shmangien e sanksioneve për pushtimin e saj ndaj Ukrainës.
Ky paralajmërim vjen nga Shtëpia e Bardhë, përmes disa zyrtarëve të paidentifikuar të cilët kanë thënë se Rusia i ka kërkuar Kinës ndihmë ushtarake për të vijuar me pushtimin.
Ministria e Jashtme kineze nuk e trajtoi drejtpërdrejt këtë akuzë, por akuzoi SHBA-të për përhapjen me qëllim të keq të dezinformatave për Kinën. Lajmet vijnë përpara takimit të zyrtarëve të lartë amerikanë dhe kinezë në Romë.
Mediat amerikane, duke cituar zyrtarë të Uashingtonit, thonë se Rusia ditët e fundit i ka kërkuar Kinës posaçërisht pajisje ushtarake, përfshirë dronë.
Në një intervistë Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-ve, Jake Sullivan tha se ata “po komunikonin drejtpërdrejt, privatisht me Pekinin dhe se do të kishte absolutisht pasoja për përpjekjet për shmangie të sanksioneve në shkallë të gjerë ose mbështetje për Rusinë”.
I pyetur nëse mund të sqaronte nëse Kina kishte marrë një kërkesë për ndihmë ushtarake nga Rusia, zyrtari i Kinës tha se ky është një lajm i rremë.
Ai shtoi se qëndrimi i Kinës ka qenë gjithmonë i hapur dhe se Kina po luan një rol konstruktiv në nxitjen e bisedimeve.
Kina deri më tani është përmbajtur nga dënimi i Rusisë për pushtimin dhe ka thënë se “shqetësimet legjitime të sigurisë” të Moskës duhet të merren seriozisht.
Kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi për të dënuar pushtimin e Rusisë në fillim të këtij muaji, Kina ishte një nga 35 vendet që abstenuan.
Por Pekini në të njëjtën kohë ka shprehur “mbështetje të palëkundur” për sovranitetin e Ukrainës.
Ajo gjithashtu ka bërë thirrje për paqe dhe ka thënë se është e gatshme të ndihmojë në përfundimin e luftës përmes diplomacisë.
Disa vende i kanë kërkuar Kinës të bëjë më shumë për të ndaluar pushtimin e rusëve në Ukrainë.
BE dhe SHBA-të ndihmojnë Ukrainën nd ndërsa Kina ndihmon Rusinë; nëse është vërtetë kështu, atëherë është një përvijim që do ta bëjë luftën në Ukrainë një luftë edhe më të rëndësishme dhe me përmasa akoma më të mëdha.